
Ish-ambasadori dhe profesori universitar Nano Ruzhin, vlerëson se është opsion shumë i hershëm ideja për ndryshimin e modelit të rregullimit shtetëror sipas modelit belg apo irlandez verior, gjë që sipas burimeve të TV21, po e konsiderojnë dhe do ta propozojnë ekspertët ndërkombëtarë të angazhuar nga BDI. Një gjë e tillë do të ballafaqohej me kundërshti në popullatë por edhe subjektet politike, thotë ai.
“Por nga ana tjetër me shumë gjasa do të vijë koha që si rezultat edhe i proceseve demokratike, dhe i dëshirave të disa segmenteve në popullatë, bashkësive etnike e kështu me radhë, të ketë një lloj ndarjeje administrative. Tani për tani ekziston ajo, kushtimisht thënë, ndarje në 8 rajone në shtetin tonë, por ku më shumë janë bërë në aspektin ekonomik dhe jo atë politik. Kështu që kjo çështje mbetet e hapur. Edhe nëse ekspertët më të mirë të angazhohen për këtë, gjithsesi nuk është punë e lehtë”, tha Nano Ruzhin, profesor universitar
Profesoresha universitare Mirjana Malevska, thotë se vendi tashmë ka praktikë për formimin e qeverisë, që koalicionin e formojnë fituesi me fituesin nga dy blloqet më të mëdha etnike, gjë që siç shton, kësaj here u shkel dhe sipas Malevskas, kjo nuk është gjë e mirë dhe në frymën e demokracisë.



