
Lokale të mbyllura, pothuajse rrallë kush hyn në objektet tregtare dhe hotelierike në Tetovë. Kjo është fotografia në qytetin pas Sharrit, por edhe në të gjithë rajonin e Pollogut pas largimit të mërgimtarëve.
Ata kanë stimuluar ekonominë në rajonin Tetovë-Gostivar në dy muajt e kaluar, por tani sidomos bizneset e vogla mezi ia dalin mbanë.
Mërgimtarët kishin kapacitetin, por edhe shpirtin sipërmarrës që të investonin në Maqedoni dhe nga investimet e tyre në një biznes të jetohet gjatë gjithë vitit, thonë ekspertët. Profesoresha universitare Hirije Alili thotë se duhet stabilitet politik, nëse duam investime serioze nga mërgimtarët, atëherë do të kemi rritje ekonomike, jo vetëm në nivel mikro, por edhe në atë makro.
“Me ardhjen e mërgimtarëve stimulohet ekonomia, shpenzojnë para për ceremoni të ndryshme dasmash për nevoja shtëpiake, ndërtojnë shtëpi dhe i mirëmbajnë, por e gjithë kjo është nga një aspekt mikro. Ajo që duhet bërë është investimi në infrastrukturë dhe krijimi i kushteve të favorshme për mërgimtarët sepse ata kanë përvojë, mund të bëhen ndërmarrës dhe e gjithë kjo do të ndihet në ekonominë e Maqedonisë. Ne kemi qenë në tranzicion prej 30 vitesh dhe nga ky këndvështrim është bërë pak, investimet janë gjithmonë të lidhura me taksat. Kemi rrethana lehtësuese nga ky aspekt. Investimet e huaja stimuloheshin nga shteti. Por këtu duhet të merret parasysh edhe aspekti politik, nëse duam të kemi investime, duhet të tregohemi edhe si shtet stabil”, thotë profesoresha universitare Hirije Alili.
Ekonomistët theksojnë se në varësi të vitit, fluksi i parave nga mërgimtarët varion nga 1 deri në 2 miliardë euro. Një pjesë e madhe e deficitit tregtar mbulohet me xhiron që bëjnë gjatë kohës që janë në shtëpi. Por vështirë se dikush prej tyre dëshiron të investojë këtu. Ata thonë se nuk ndihen të sigurt, sepse nuk respektohen ligjet.
Disa statistika thonë se gati 50% e popullsisë së këtij rajoni është shtresë e mërgimtarëve.



