E rëndë në Francë: Ish-nxënësi sulmon me thikë në një shkollë

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin jugor të Francës, Antibes, ku një person i armatosur me thikë hyri në ambientet e një shkolle dhe plagosi dy persona.
Sipas raportimeve të mediave franceze, sulmuesi një 18-vjeçar, ish-nxënës i shkollës – është arrestuar menjëherë pas ngjarjes dhe nuk përbën më kërcënim për sigurinë publike. “Sulmuesi është arrestuar dhe nuk përbën më kërcënim”, deklaroi një zëdhënës i policisë.
Burimet e BFMTV bëjnë me dije se nga sulmi kanë mbetur të plagosura një nxënëse 16-vjeçare dhe një mësuese 52-vjeçare. Mësuesja është plagosur rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa nxënësja ka pësuar lëndime të lehta.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Autoritetet janë duke vijuar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes, përfshirë mundësinë e ndonjë motivimi terrorist apo një konflikti personal që ka precipituar në dhunë.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer në vëmendje shqetësimet mbi sigurinë në institucionet arsimore në Francë. (Euronews.al)



