LajmeRajon

Dy të pandehur pranojnë fajësinë për bllokimin e rrugëve në veri, gjykimi shtyhet

Në seancën e parë të gjykimit për vendosjen e barrikadave në Zveçan gjatë vitit 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës ka ndarë procedurën për Millosh Radosavljeviqin dhe Dushan Dobraqin, pasi ata kanë rënë dakord me Prokurorinë Speciale për të pranuar akuzat.

Para fillimit të shqyrtimit u njoftua se i pandehuri Nenad Orloviq nuk ishte i pranishëm, ndërsa mungonte edhe avokati i Sërgjan Vuçiniqit, Bogdan Llaziq.

Në këtë proces, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq përballen me akuza për krime kundër rendit kushtetues, konkretisht për pengimin e qarkullimit në rrugët e Zveçanit në dhjetor të dy viteve më parë.

Gjyqtari Rrahman Beqiri theksoi se Orloviq mungonte dhe se gjykata kishte ripërsëritur masën e arrestit ndaj tij. Sipas një raporti policor të datës 27 gusht 2026, forcat e rendit kishin shkuar për të zbatuar urdhërarrestin, por nuk e gjetën në shtëpi, ndërsa banorët e zonës pohuan se ai banon në Serbi.

Gjithashtu, mungonte edhe avokati Petroviq, për të cilin klienti i tij Joloviq sqaroi se kishte komunikuar telefonikisht dhe e kishte vënë në dijeni se ishte përfshirë në një aksident trafiku.

Ndërkaq, avokati Llaziq, që mbron Vuçiniqin, e njoftoi gjykatën me email se nuk mund të paraqitej për shkaqe shëndetësore.

Në sallë ishin të pranishëm prokurori special Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me mbrojtësin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviq, si dhe të pandehurit Sërgjan Vuçiniq e Nemanja Joloviq. Orloviq përfaqësohej nga avokatja Donjeta Leka.

Aktakuza, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, përshkruan se në pikën e parë, tre të pandehurit Maksimoviq, Radosavljeviq dhe Joloviq, nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në bashkëveprim, morën pjesë si pjesëtarë të një grupi që synonte të sulmonte rendin kushtetues përmes forcës e dhunës.

Sipas organit të akuzës, qëllimi ishte të pengoheshin institucionet kosovare dhe Policia e Kosovës në rivendosjen e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrës në veri. Ata pretendohet se kishin ngritur barrikada në arterien kryesore duke përdorur kamionë të ngarkuar me inerte, ekskavatorë, autoambulanca dhe mjete të tjera, ndërsa pranë tyre kishin vendosur edhe fortifikime. Gjithashtu, thuhej se ishin të gatshëm të sulmonin forcat policore nëse ndërhyheshin.

Për këto veprime, ata akuzohen për “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, vepër kjo e paraparë nga neni 127, paragrafi 2 në lidhje me nenin 114, paragrafi 2, si dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Pika e dytë e aktakuzës i dedikohet Dushan Dobracit, i cili gjatë të njëjtës periudhë në Zveçan, akuzohet se iu bashkua grupit për të ushtruar dhunë kundër rendit kushtetues, duke penguar institucionet dhe policinë në ushtrimin e autoritetit dhe detyrave zyrtare në komunat veriore.

Aktakuza përshkruan se edhe ai kishte marrë pjesë në vendosjen e bllokadave në rrugën kryesore dhe ishte i gatshëm të përballej me policinë me mjetet që kishte në dispozicion. Për këtë, Dobrac ngarkohet me të njëjtën vepër penale kundër rendit kushtetues.

Për më tepër, ai përballet edhe me akuzën për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Sipas dosjes, pas arrestimit të Dejan Pantiqit më 10 dhjetor 2022 në pikën kufitare të Jarinjës, strukturat ilegale serbe dhe grupet kriminale në veri u aktivizuan menjëherë. Ata organizuan vendosjen e mjeteve të rënda për të bllokuar rrugën magjistrale nga fshati Rudar drejt Jarinjës, me qëllim që të ndalonin transportimin e Pantiqit në Prishtinë dhe ta pengonin përballjen me drejtësinë.

Kjo vepër cilësohet sipas nenit 401, paragrafi 5 në lidhje me paragrafin 2 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Ndërsa, Sërgjan Vuçiniq, i cili ishte përgjegjës i njësisë së pastrimit në ndërmarrjen “Standard”, akuzohet në pikën e tretë se si anëtar i grupit përdori forcën e dhunën në veri për të penguar shtrirjen e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrimeve zyrtare.

Sipas prokurorisë, pasi mori vesh për ndalimin e Pantiqit, ai bashkë me struktura ilegale dhe grupe kriminale, shfrytëzoi automjetet e kompanisë duke i pozicionuar ato në vende të ndryshme si barrikada. Kështu, Vuçiniq akuzohet për bashkim për veprimtari antikushtetuese dhe për pengim të zyrtarëve gjatë kryerjes së detyrës.

Aktakuza thekson se në bashkëpunim me Nenad Orloviqin dhe të tjerë, ai bllokoi rrugët kryesore të zonës duke përdorur mjetet e kompanisë “Standard”.

Nenad Orloviq, punonjës i së njëjtës kompani pastrimi, përmendet në pikën e pestë të aktakuzës si pjesëmarrës aktiv në bllokimin e rrugëve në fshatin Rudare dhe në udhëkryqin e Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut. Ai thuhet se veproi i maskuar dhe në shoqëri me një person të paidentifikuar.

Orloviq akuzohet se si anëtar i grupit qëlloi automjete të rënda — kamionë me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe të tjera — si dhe vendosi fortifikime pranë barrikadave, me synimin për të minuar autoritetin e institucioneve kosovare në veri. Për këtë, ai ngarkohet për të njëjtat vepra penale si edhe të pandehurit e tjerë: bashkim për veprimtari antikushtetuese dhe pengim të personit zyrtar.

Prokuroria Speciale gjithashtu dokumenton se më 28 dhjetor 2022, në një mbledhje të mbajtur në Rashkë të Serbisë, ku ishin të pranishëm Milan Radoiçiq, ish-kryetarët e komunave veriore dhe ish-pjesëtarë të policisë që kishin dhënë dorëheqje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi heqjen e barrikadave pas lirimit të Dejan Pantiqit.

Në dosjen e prokurorisë përshkruhen edhe format e komunikimit të të akuzuarve. Sipas hetimeve, Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq (i njohur si “Kurto”) dhe Nemanja Joloviq (i mbiquajtur “Svemo”) kanë shkëmbyer mesazhe përmes aplikacioneve “Signal” dhe “Viber” si midis tyre, ashtu edhe me persona të tjerë të përfshirë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close