LajmeMaqedoniTopLajm

DRITA FESTIVE, HIJE NË TENDERË! Komunat shpenzuan 800 mijë euro, fitoi një kompani

Komuna e Shtipit kryeson për nga shuma e shpenzuar, duke lidhur një kontratë në vlerë prej 81.276 eurosh me kompaninë “Link Media Plus” nga Shkupi. Qyteti i Shkupit renditet i dyti, me një kontratë prej rreth 69.457 eurosh, po ashtu me të njëjtën kompani

Anëmsha SHABANI

Shkup, 15 janar – Shpenzimet e komunave për dekorimet e Vitit të Ri vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje serioze për arsyeshmërinë e kostove, konkurrencën në prokurimet publike dhe transparencën e procedurave. Një analizë e Qendrës për Komunikime Qytetare, e bazuar në të dhënat e publikuara në Sistemin Elektronik të Prokurimit Publik, tregon se vetëm në vitin 2025, të paktën 36 njësi të qeverisjes vendore kanë zhvilluar procedura tenderimi për dekorime festive.

Sipas të dhënave të deritanishme, 31 nga këto komuna kanë publikuar kontratat e lidhura, ndërsa gjashtë të tjera ende nuk kanë dorëzuar njoftime, ndonëse afati ligjor është 10 ditë nga lidhja e kontratës. Vlera totale e kontratave tashmë të publikuara arrin në 48.297.986 denarë, apo rreth 785 mijë euro, ndërsa kjo shumë pritet të rritet me publikimin e të dhënave nga komunat që ende nuk kanë raportuar, përfshirë Gostivarin, Strugën, Probishtipin, Pehçevën, Kriva Pallankën dhe Novacin.

Analiza evidenton dallime të mëdha në shpenzimet për dekorime mes komunave, pa një shpjegim të qartë për vëllimin dhe përmbajtjen e shërbimeve të kontraktuara. Siç thuhet në analizë, kontrata më e lartë për dekorime arrin mbi 80 mijë euro, ndërsa disa komuna të tjera kanë ndarë shuma disa herë më të vogla për të njëjtin qëllim.

Komuna e Shtipit kryeson për nga shuma e shpenzuar, duke lidhur një kontratë në vlerë prej 81.276 eurosh me kompaninë “Link Media Plus” nga Shkupi. Qyteti i Shkupit renditet i dyti, me një kontratë prej rreth 69.457 eurosh, po ashtu me të njëjtën kompani. Nëse llogariten edhe shpenzimet e komunave të tjera të Shkupit, si Qendër, Çair, Butel, Gazi Babë, Gjorçe Petrov dhe Karposh, rezulton se për dekorimet e Vitit të Ri në kryeqytet janë shpenzuar mbi 284 mijë euro, ose më shumë se një e treta e totalit të shpenzimeve në nivel vendi.

Kur shpenzimet analizohen sipas numrit të banorëve, dallimet bëhen edhe më të theksuara. Shtipi ka shpenzuar 111 denarë për banor për dekorime festive, ndërsa Qyteti i Shkupit tetë denarë për banor. Në anën tjetër, disa komuna kanë pasur kosto shumë më të ulëta, nën 10 mijë euro, si Negotina, Kumanova, Resnja, Dojrani, Sveti Nikolla, Gradsko, Demir Hisari, Sopishta dhe Novaci.

Një nga gjetjet më problematike të analizës lidhet me mungesën e konkurrencës në procedurat e prokurimit. “Në 81 për qind të tenderëve për dekorime ka marrë pjesë vetëm një kompani, ndërsa numri mesatar i ofertave për tender ishte vetëm 1.15”, thekson raporti, duke nënvizuar se kjo është shumë më poshtë nivelit minimal të rekomanduar për të siguruar konkurrencë reale në treg. Në disa raste, deri në 91 për qind e vlerës së kontratave është ndarë në procedura ku ka pasur vetëm një ofertues.

Në këtë kontekst, dominimi i një kompanie të vetme është veçanërisht i theksuar. “Link Media Plus” ka nënshkruar 15 nga gjithsej 32 kontrata për dekorime, me një vlerë totale prej mbi 615 mijë eurosh, që përbën rreth 78 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratave në nivel vendi. Përveç saj, vetëm dy kompani të tjera kanë fituar më shumë se një kontratë, ndërsa pjesa tjetër e operatorëve janë përfshirë me nga një kontratë të vetme.

Analiza vëren gjithashtu se shumica dërrmuese e tenderëve janë zhvilluar dhe përfunduar në dhjetor, shpesh më pak se dy javë para Vitit të Ri. “Publikimi i vonë i njoftimeve dhe lidhja e kontratave në afate shumë të shkurtra kufizon seriozisht mundësinë e pjesëmarrjes së kompanive të tjera dhe favorizon operatorët që tashmë kanë qenë të angazhuar më parë”, thuhet në raport.

Ndër të tjera, të dhënat e mbledhura tregojnë se problemi nuk është i izoluar, por lidhet me një praktikë të përsëritur çdo vit, ku dekorimet festive shndërrohen në një proces me transparencë formale, por konkurrencë minimale dhe përqendrim të madh të parasë publike në duart e pak operatorëve ekonomikë. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close