
“Punojmë me zemër, jetojmë me borxhe” – me këtë thirrje e nisën sot protestën punonjësit shëndetësorë të Spitalit të Tetovës.
Më shumë se 140 të punësuar kanë hyrë në muajin e katërt pa marrë rrogë, madje as kontributet nuk u janë paguar. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do t’i vijë fundi këtij ankthi.
Shumë prej tyre flasin me zë të ulët, nga frika se mos ndëshkohen, por zemrat e tyre janë të zbrazëta nga dëshpërimi.
Nga drejtoria nuk pati premtime për zgjidhje të shpejtë. Ata thanë se janë në procedurë dhe në komunikim me Ministrinë e Financave për të gjetur një zgjidhje, por pa dhënë ndonjë afat të saktë.
Ndërkohë, pas shumë premtimeve nga Ministria, qeveria dhe drejtoria, punonjësit frikësohen se do të mbeten edhe për shumë vite pa zgjidhje të qëndrueshme për vendet e tyre të punës.



