
Në ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare, profesori universitar, Xheladin Murati vlerësoi se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë arsye është marrëzi që të presim përdorimin e saj zyrtar nga institucionet shtetërore. Profesori Murati tha se pavarësisht se ligji është në fuqi, institucionet e përdorin sipas qejfit të tyre.
“Gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Gjuha shqipe është në përdorim zyrtarë sipas qejfit- kush do ta përdore. Gjuha shqipe nuk ekziston në Kushtetutën e RMV-së, ekziston si gjuhë e 20%. Së treti shqiptarët nuk janë popull shtet formues të shtetit të Maqedonisë, i cili status e zgjedh edhe çështjen e gjuhës. Koncepti i përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe nuk është i përsosur sepse nenet përbërëse të ligjit janë të papërsosura dhe jo koncize”, u shpreh Murati.
I ndryshëm ishte mendimi i drejtorit të inspektoratit për implementimin e gjuhëve Fatmir Iseni i cili tha:
“Gjatë inspektimeve kemi konstatuar dhe kemi aktvendime të miratuara me vërejtje ato janë institucionet Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, Fondi i Sigurimit pensional dhe invalidor dhe Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup”, tha Iseni.
Duke parë këtë deklaratë të Isenit nënkuptohet se ai nuk ka mundësi të menaxhoj këtë institucion mbase nuk janë vetëm institucionetqë Iseni ka përmendur por ka edhe shumë institucione publike dhe private që nuk respektojnë implementimin e gjuhës shqipe.



