
Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, tha se Rusia nuk është serioze për zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Këto ishin komentet e tij të para publike që nga takimi me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, në Turqi, gjatë muajit të kaluar.
I pyetur nëse moti i ftohtë i dimrit mund të ngadalësojë luftimet dhe të hapë mundësinë për bisedime, Burns tha se ata vlerësojnë se rusët nuk janë seriozë në këtë pikë për “negociata të vërteta”.
Në fillim të kësaj jave, Rusia tha se SHBA-ja nuk kishte “qasje konstruktive” ndaj bisedimeve.
Në fillim të dhjetorit, presidenti amerikan, Joe Biden, tha të enjten se është i gatshëm të flasë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, nëse ai vërtet dëshiron t’i japë fund luftës.
Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL



