
Zyrtarët doganorë të Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike të Greqisë (AADE) zbuluan dhe sekuestruan gjithsej 1.296 shishe me lëng ftohës ilegal (freon) në pikat kufitare Dojran dhe Kipi në kufirin me Turqinë, gjatë kontrollit të dy automjeteve transportuese që hynë në Greqi. Doganat dhe taksat e shmangura vlerësohen në më shumë se 338 mijë euro.
Nga shishet me freon të paligjshëm, 1.000 ishin fshehur në një kamion me targa turke, ndërsa 296 të tjerat në një kamion që në Greqi kishte ardhur nga Maqedonia.
“Në orët e hershme të mëngjesit të së njëjtës ditë, në pikën kufitare Dojran, gjatë kontrollit të një kontejneri të zbrazët transportues nga Maqedonia e Veriut, në një ndarje të krijuar posaçërisht u zbuluan 296 shishe me lëng ftohës ilegal të llojit R134a, për të cilat doganat dhe taksat llogariten në shumën prej 55 mijë eurosh”, njoftuan nga AADE.
Në të njëjtën kohë, në pikën kufitare Kipi me Turqinë, gjatë kontrollit të një kamioni me rimorkio dhe targa turke, u zbuluan 1.000 shishe freon të llojit R404A, të cilat ishin “fshehur me kujdes nën ngarkesën e deklaruar me pllaka gips-kartoni”.
“Importi i këtij lëngu në BE është i ndaluar. Vlera e përgjithshme e ngarkesës është 884.400 euro, ndërsa doganat dhe taksat e shmangura vlerësohen në 283.538,64 euro”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Pavarur për të Ardhurat Publike të Greqisë.
Nga atyje shtuan se e gjithë ngarkesa e paligjshme në të dy rastet është sekuestruar dhe janë ndërmarrë procedurat ligjore të parashikuara.



