LajmeMaqedoniTopLajm

Dimitrievski: ZNAM hyri në qeveri për të parandaluar përsëritjen e gabimeve të së kaluarës

Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, deklaroi se vendimi i partisë për t’u bërë pjesë e koalicionit qeveritar kishte për qëllim parandalimin e përsëritjes së proceseve politike nga e kaluara dhe sigurimin e një përfaqësimi më të fuqishëm të interesave kombëtare maqedonase.

Në një intervistë për Telma, Dimitrievski tha se motivi kryesor për hyrjen e ZNAM në qeveri ishte që qytetarët maqedonas të mos ndiheshin më të margjinalizuar në shtetin e tyre.

“ZNAM hyri në këtë koalicion që të mos shihnim përsëritje të asaj që ndodhi në të kaluarën. Motivet tona për të hyrë në qeveri ishin që maqedonasit të mos ndiheshin më si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre”, deklaroi ai.

Dimitrievski sqaroi se ZNAM nuk ka nënshkruar marrëveshje formale koalicioni me VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin VLEN, por pas zgjedhjeve parlamentare është arritur pajtueshmëri për një program të përbashkët qeveritar, i cili përfshin prioritetet programore dhe angazhimet e partisë së tij.

Ai vlerësoi se përfaqësuesit e ZNAM në ekzekutiv, ministri i Administratës Publike Goran Minçev dhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, po e zbatojnë programin qeveritar në përputhje me prioritetet e Agjendës së Reformave.

Si argument për rezultatet e arritura, Dimitrievski përmendi edhe vlerësimet e dhëna nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, kur sipas tij u theksua progresi në fushën e administratës publike dhe sundimit të ligjit, sektorë që udhëhiqen nga kuadro të ZNAM.

Duke folur për çështjet politike, ai ritheksoi qëndrimin e partisë lidhur me ndryshimet kushtetuese, duke theksuar se Kushtetuta nuk duhet të ndryshohet nëse paraqiten kërkesa të reja shtesë. Dimitrievski riafirmoi mbështetjen për konceptin e ndryshimeve kushtetuese me kusht, një propozim që, sipas tij, e promovon prej disa vitesh.

Related Articles

Back to top button
Close
Close