
Posta e Kosovës bëri të ditur se ka nisur shpërndarjen e gjobave digjitale për shkeljet në komunikacion. Kjo nismë, sipas Postës, do të rrisë sigurinë dhe përgjegjësinë në vend.
“Ky hap modernizues e bën procesin më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qytetarët, duke siguruar një menaxhim efikas të detyrimeve të tyre. Gjobat dërgohen drejtpërdrejt në adresat e qytetarëve, duke ofruar një mundësi më të përshtatshme dhe më të thjeshtë për të realizuar pagesat”, u tha në njoftim.
Në fillim të prillit, Policia e Kosovës bëri të ditur se do të nisë dërgimin e gjobave të trafikut në adresë të pronarëve të automjeteve që identifikohen se kanë bërë kundërvajtje.
Policia tha se gjobat për shkeljet në trafik – që do të identifikohen përmes pajisjeve inteligjente – do t’iu dërgohen pronarëve të automjeteve përmes Postës së Kosovës dhe platformës e-Kosova.



