LajmeMaqedoniTopLajm

Dibra nis rinovimin e sinjalizimit rrugor, vendosen edhe pasqyra sigurie

Komuna e Dibrës, në përputhje me vlerësimet e Komisionit Komunal për Siguri në Komunikacion, ka nisur aktivitetet për përmirësimin e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në qytet. Fillimisht ka nisur vijëzimi i rrugëve, me qëllim rritjen e sigurisë për pjesëmarrësit në komunikacion, si për drejtuesit e automjeteve ashtu edhe për këmbësorët. Paralelisht, pritet që së shpejti të realizohet edhe sanimi, si dhe vendosja e sinjalizimit vertikal të dëmtuar ose të munguar.

Kryetari i Komisionit Komunal për Siguri në Komunikacion, Abdul Koleci, tha se aktivitetet po realizohen në përputhje me programin e punës së pushtetit vendor dhe me gjendjen e konstatuar në terren. “Komisioni ka verifikuar gjendjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal në qytet dhe ka konstatuar se ka dëmtime të konsiderueshme. Për këtë arsye ka nisur vijëzimi i rrugëve, ndërsa punimet po zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe pritet të përfundojnë shumë shpejt. Dëmtimet në sinjalizimin horizontal kanë qenë të mëdha, gjë që ka krijuar vështirësi dhe pasiguri në komunikacion”, deklaroi për gazetën KOHA kryetari i komisionit, Abdul Koleci.

Sipas tij, probleme janë evidentuar edhe në sinjalizimin vertikal. Në disa rrugë tabelat e komunikacionit janë dëmtuar, ndërsa në disa segmente ato mungojnë plotësisht, duke krijuar rrezik për pjesëmarrësit në trafik. “Për këtë arsye, në një afat të shkurtër do të bëhet sanimi dhe zëvendësimi i shenjave të komunikacionit që mungojnë, veçanërisht në hyrje dhe dalje të qytetit”, theksoi Koleci. Ai shtoi se Komisioni ka diskutuar edhe për rregullimin e parkingjeve, si dhe për rrugët me një korsi, të cilat kërkojnë zgjidhje shtesë për të garantuar një qarkullim më të sigurt.

Punimet po realizohen me synim përmirësimin e sigurisë në komunikacion, rritjen e dukshmërisë së sinjalizimit horizontal dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. Një risi është edhe vendosja, për herë të parë në Dibër, e pasqyrave të sigurisë në disa pika problematike të qytetit. Sipas autoriteteve, këto pasqyra ndihmojnë ndjeshëm në rritjen e sigurisë, veçanërisht në kryqëzimet me fushëpamje të kufizuar. Duke qenë se nëpër Dibër kalon rruga ndërkombëtare që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë përmes pikës kufitare të Bllatës, qyteti përballet me një frekuencë të lartë të automjeteve. Për këtë arsye, sinjalizimi horizontal dhe vertikal ka rëndësi të veçantë për garantimin e sigurisë në komunikacion.

Autoritetet komunale theksojnë se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve sa më të sigurta për të gjithë qytetarët.

Related Articles

Back to top button
Close
Close