
Tridhjetë autobusët e parë elektrikë pritet të arrijnë në vend në dhjetor ose janar, ndërsa furnizimi i gjithsej 150 pritet të përfundojë për një vit e gjysmë. Është parashtruar një ankesë, e cila sot është refuzuar nga Komisioni i shkallës së dytë për ankesa për prokurime publike, njoftoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
“Përfundoi edhe procesi i ankesave, është parashtruar ankesë, e cila sot u refuzua nga Komisioni i shkallës së dytë, kështu që kësaj radhe procesi ka përfunduar plotësisht me sukses. Tani po hyjmë në procesin e nënshkrimit të një kontrate dhe nëse afati i dorëzimit është gjashtë muaj nga nënshkrimi i kontratës, kërkesa ime drejtuar ofertuesit, i cili tani do të jetë edhe kontraktori zyrtar i shtetit, do të jetë që autobusët e parë të mbërrijnë në dhjetor ose janar. Gjashtëdhjetë të tjerët do të mbërrijnë brenda 12 muajve dhe edhe 60 tjerë brenda 18 muajve. Në mënyrë që i gjithë dorëzimi të mund të përfundojë brenda një viti e gjysmë”, tha Nikolloski sonte në intervistë për Ditarin në TV Sitel.
Pasi të enjten në Qeveri u nënshkruan marrëveshjet për grantin investues nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së investimeve për Ballkanin Perëndimor, si dhe marrëveshjet për financim me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të cilat sigurojnë strukturën financiare për zbatimin e fazës së tretë të pjesës hekurudhore Kriva Palankë – fillimi i tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, si pjesë e Korridorit hekurudhor 8, Nikolloski deklaroi se është jashtëzakonisht i kënaqur me dinamikën e zhvillimit të projektit dhe, tha, nëse gjithçka shkon mirë, pret punë intensive ndërtimi nga fillimi i vitit të ardhshëm.
Tashmë është zgjedhur edhe një kompani revizore, e cila deri nga mesi i tetorit duhet të bëjë revizion të tërë dokumentacionit, e pastaj ta ndjek procesin e zbatimit. “Nëse nga ana e Bullgarisë punohet me të njëjtin ritëm si tek ne, atëherë jemi dakorduar deri në vitin të kemi lidhje, që do të shkojë nga Shkupi përmes Sofjes deri në Varna dhe Burgas”, tha Nikolloski.
Duke folur për projektet e tjera infrastrukturore, Nikolloski për projektin kapital të autostradës Ohër – Kërçovë tha se aktivitetet ndërtimore do të përfundojnë në tremujorin e parë të vitit 2027, e në cilin muaj saktësisht, do të varet se si do të jetë dimri. “Nëse është dimër i butë, ndoshta janar, nëse është i ashpër, ndoshta do të presim deri në mars, sepse bëhet fjalë për terren malor. Por tashmë po flasim për muajt kur do të përfundojë, e jo për vite dhe dekada, të cilat, për fat të keq, e kanë ndjekur këtë autostradë”, tha Nikolloski, duke shtuar se pasi të përfundojë tërë projekti, do t’i prezantojë të gjitha faktet dhe problemet me këtë projekt, me të cilat janë përballur në dy vitet e fundit.
Zëvendëskryeministri njoftoi edhe se se nesër Ministria do të koordinohet me Hekurudhat, Qytetin e Shkupit dhe NQP për të përcaktuar oraret e qarkullimit të Trenit të Qytetit, që do të fillojë të qarkullojë nga 1 shtatori, me ç’rast do të merren parasysh nevojat e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve.
Siç tha ai, punimet ndërtimore tashmë janë në fazën përfundimtare, e deri më 21 gusht duhet të ketë pranim teknik të linjës, e cila duhet të shkojë nga Zelenikova përmes Draçevës, Lisiçes, Aerodromit, Kisella Vodës dhe Stacionit hekurudhor. Do të jenë në funksion edhe trenat e blerë së fundmi me të paktën tre garnitura – dy elektrike dhe një dizel.
Nikolloski tha edhe se Ministria e Punëve të Brendshme po heton vjedhjen e madhe në nënstacionin elektrotërheqës Draçevë para dy javëve, me dëme të vlerësuara midis tre dhe pesë milionë euro, me çka u dëmtua infrastruktura kritike hekurudhore. “Autorët do të zbulohen, sepse vjedhja është aq serioze që jo më shumë se 20-30 njerëz në vend mund ta bëjnë – të ndërpritet energjia elektrike me tension të lartë, të ngriten transformatorë 27 tonësh, për këtë ju nevojitet mekanizëm. Ashtu që, ne pak a shumë e dimë se kush janë njerëzit që mund ta bëjnë këtë, tani MPB-ja po heton për të zbuluar saktësisht se kush e bëri. Është bërë si në film – ata shkuan atje me makineri ndërtimi dhe ekspertë të lartë për të nxjerrë bakrin nga dy transformatorët dhe për ta shitur atë në tregun e zi, pasi bakri në bursat botërore tani ka çmim të lartë. Po kryhen inspektime edhe në të gjitha depotë për hekur dhe metale tjera. Dikush e pa këtë si biznes të mirë. Dëmi është midis tre dhe pesë milionë euro dhe mos dhashtë Zoti, ka mundur të ndodh edhe diçka tragjike në hekurudhë”, tha Nikolloski.



