
Më së voni deri në fund të javës së ardhshme presim nënshkrimin e aneksit të marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave të personelit mjekësor, deklaroi Lubisha Karanfillovski, kryetar i Sindikatës së Pavarur për Shëndetësi, Farmacia dhe Mbrojtje Sociale, pas takimit të sotëm me ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski, takimi i parë ka kaluar në bisedë korrekte dhe konstruktive.
“Hasëm në një mirëkuptim të madh nga ana e ministrit. Shpresojmë se në një afat të shkurtër të mundshëm do të nënshkruhet kjo që u dakordua. Me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin për Shëndetësi është dakoduar shuma, janë siguruar mjetet. Sipas rregullores së re të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, siç është rënë dakord, anekset me koeficientët duhet sipas procedurës, të shkojnë në atë Ministri, ndërsa prej aty në Ministrinë e Financave. Financat t’i japin një përgjigje Fondit, më pas të nënshkruhet marrëveshja. Ne shpresojmë se deri në fund të javës së ardhshme kjo punë të përfundojë. Sepse jemi në zonën kohore. U premtua për pagën e shkurtit, tani jemi shtatë mars”, theksoi Serafimovski.
Nëse kjo nuk zgjidhet deri në fund të javës së ardhshme, siç shtoi ai, do të organizohen me anëtarësinë, bashkë me LSM-në, sindikatat do të shohin se çfarë më tej.
“Anëtarësia është maksimalisht e revoltuar. Plus tani edhe rritja e pagës minimale, nëse nuk përfundon për këtë muaj ky nënshkrim i marrëveshjes, vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria do të kenë problem”, theksoi Serafimovski.
Karanfillovski tha se ky takim me ministrin ka qenë më shumë me karakter informativ.
“Qëllimi ishte ta informojmë me aneksin e marrëveshjes kolektive për rritjen e pagave për punonjësit në shëndetësi. Për ne si sindikata është shumë e rëndësishme, sepse kjo rritje do të vlejë për të gjithë të punësuarit në shëndetësi. Rritja e pagave është e pashmangshme. Nëse kjo nuk ndodh, do të krijohet një situatë ku një infermiere me arsim të mesëm të ketë të njëjtën pagë me pagën minimale. Ai absurditet nuk do të ndodhë. Rritja është në shumë lineare, ndryshme, nga tre mijë denarë, dy e gjysmë, dy, varet nga struktura e të punësuarve. Rritja do të thotë lëvizje pozitive”, nënvizoi Karanfillovski.



