
Vendimi i Gjykatës Penale me të cilin Lupço Palevski-Pallço dhe shokët e tij u dënuan me burgim të përjetshëm për dy vrasjet – të Vanjas dhe Pançes, ka udhëtuar pesë muaj nga ndërtesa e Gjykatës Penale deri te Apeli, të cilat janë më pak se 200 metra larg njëra-tjetrës, përcjell TV21. Shpjegim pse ndodhi kështu, për momentin nuk ka. Dënimet u shqiptuan nga gjykata në qershor, dhe tani fillojnë afatet për ankesa.
Mbrojtja ka njoftuar se do të apelojë në Gjykatën e Apelit dhe do të kërkojë mbajtjen e një seance publike. Lupço Palevski-Pallço, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishev në fund të qershorit u dënuan me burgim të përjetshëm. Babai i Vanjas, Aleksandar Gjorçevski, i cili akuzohej se kishte dhënë informacione për lëvizjet e vajzës së tij, u lirua nga akuzat.



