Delfinë “kamikazë”, plani i Iranit: Do t’i “armatosim” me mina për të sulmuar anijet amerikane

Irani po kërkon një zgjidhje për të “thyer” bllokadën detare amerikane të porteve të tij, pasi rrugët alternative janë të pamjaftueshme dhe rreziku i një krize në spirale e ka ndarë sistemin politik të Teheranit, midis të moderuarve si Presidenti Masoud Pesekian dhe atyre të vijës së ashpër, përfshirë Saeed Jalili, një ish-kandidat presidencial i cili udhëheq fraksionin më konservator të Iranit.
Ndër zgjidhjet që po merren në konsideratë është përdorimi i armëve që nuk janë përdorur kurrë kundër anijeve luftarake amerikane të vendosura në Ngushticën e Hormuzit, duke përfshirë delfinët që mbajnë mina, sipas zyrtarëve iranianë, siç raportohet nga Wall Street Journal.
Kafshët ishin stërvitur për të sulmuar armiqtë e Republikës Islamike me harpuna të lidhura në shpinë. Ata ishin gjithashtu të trajnuar për të kryer sulme kamikaze kundër anijeve armike duke mbajtur mina.
Sipas WSJ, Teherani mund të dërgojë gjithashtu nëndetëse në rrugën detare, ndërsa Trupat e Gardës Revolucionare Islamike kanë kërcënuar tashmë të presin kabllot kryesore telefonike që kalojnë nëpër ngushticë, gjë që mund të shkaktojë kaos në komunikimet globale të internetit dhe të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve.
“Bllokada po shihet gjithnjë e më shumë në Teheran jo si një zëvendësim për luftën, por si një manifestim i ndryshëm i saj”, tha për WSJ Hamidreza Azizi, një studiues i Lindjes së Mesme në SWP, një organizatë kërkimore me seli në Berlin.
“Si rezultat, vendimmarrësit iranianë mund të arrijnë në përfundimin se rifillimi i konfliktit do të jetë më pak i kushtueshëm sesa vazhdimi i një bllokade të zgjatur.”



