
Dëshmia e Gjergj Dedajt në Gjykatën Speciale në rastin ku akuzohen ish-udhëheqësit e UÇK-së për krime lufte e krime kundër njerëzimit, ishte me plot kundërshtime të deklaratave paraprake. Ai mohoi se është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së në Baicë, e në një moment tha se gjatë kohës sa i dha deklarimet, në 90 për qind të kohës nuk ishte normal
Në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të hënën ka dëshmuar Gjergj Dedaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës i dalë nga zgjedhjet e vitit 1998 – kur u bënë masakra nëpër Drenicë.
Dedaj nuk i mbështeti deklaratat e mëhershme që ia ka dhënë Zyrës së Prokurorit të Specializuar, EULEX-it e UNMIK-ut, ku pati pretenduar se pjesëtarë të UÇK-së e kishin ndaluar dhe rrahur atë.
“90 për qind të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm (më herët) kur e kam vendosur në tryezë jetën time për lirinë e Kosovës. Jeta ime, s’ka vlerë dhe sot që jam këtu, jam kufomë s’kam asnjë vlerë…”, tha Dedaj
Ai pati deklaruar më herët, edhe publikisht, se bashkë me gjashtë deputetë të kohës, si pjesë e një delegacioni që shkoi për të mbledhur informata në zonat e luftës më 1998, u rrahën në shkollën “Migjeni” në Baicë nga pjesëtarë të UÇK-së. Para kësaj ngjarjeje pati thënë se e kishte parë Rexhep Selimin në veturën që i çoi nga Qirezi në Baicë. E në Baicë, pas rrahjes, pati thënë se e kishte takuar Hashim Thaçin, nga i cili ishte marrë në pyetje. Ai e konfirmoi edhe para Gjykatës se e kishte parë Thaçin në Baicë, ku ishte ndaluar, mirëpo mohoi se ishte marrë në pyetje. Tha se thjesht zhvilluan bisedë për zhvillimet politike të kohës.
Në një moment gjatë dëshmisë, theksoi se incidenti në Baicë i ka kushtuar shumë në jetë dhe se edhe sot e kësaj dite kërcënohet.
“Qe 25 vjet ne jemi të sëmurë sepse çdo ditë unë fyhem, kërcënohem nga individë të caktuar për këtë rast. Çdo ditë, 25 vjet”, deklaroi ai.
Dedaj u shpreh se shumica e deklaratave të mëparshme të tij nuk qëndrojnë dhe se nuk pati rrahje, gjak e lëndime, por kacafytje që përfundoi brenda një minute. Më pas thuri lavde për UÇK-në e Thaçin.
“Jam i përgatitur dhe kam qenë i përgatitur për çdo sakrificë e edhe ta jap jetën time. Mirëpo asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë ta etiketoj dhe njollos ushtrinë titanike, epike, çlirimtare dhe heroike, që është një prej ushtrive më të pastra nga luftërat botërore, është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, shtoi ai.
Dedaj tha se bashkë me shokët u ndaluan për dy ditë dhe se gjatë asaj kohe fitoi përshtypjen se UÇK-ja ishte e çrregullt.
E lidhur me lëndimet që ka marrë, tha se është rrëzuar në fshat, meqë, siç u shpreh, është njeri urban.Top24



