
Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka njoftuar se kanë arritur gypat për realizimin e rrjetit të ujit të pijshëm në fshatrat Sllatinë dhe Nerasht, një investim që sipas tij do të zgjidhë një problem të kahershëm për banorët.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për 800 metra gypa për fshatin Sllatinë dhe 500 metra për fshatin Nerasht. Për shkak të realizimit të këtyre punimeve infrastrukturore, punimet në Rrugën 108 në Sllatinë kanë pësuar një vonesë të përkohshme.
Memishi theksoi se prioritet i komunës nuk është vetëm asfaltimi i rrugëve, por ndërtimi i një infrastrukture të plotë dhe të qëndrueshme.
“Për ne, prioritet nuk është vetëm asfaltimi i rrugëve, por ndërtimi i infrastrukturës së plotë dhe të qëndrueshme, duke zgjidhur problemet nga themeli e jo duke i mbuluar ato për fotografi e propagandë”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Tearcës ka kritikuar edhe qeverisjet e mëparshme, duke thënë se për më shumë se 20 vite kanë pasur mundësinë të veprojnë, por sipas tij kanë zgjedhur manipulimin në vend të punës konkrete në terren.
Ai sqaroi gjithashtu se këto gypa nuk kanë qenë të parapara në projektin themelor dhe as në procedurat e tenderimit, ndërsa bëri të ditur se punimet do të nisin që nesër.
“Ne po punojmë në terren dhe me përgjegjësi ndaj qytetarëve”, ka përfunduar Memishi.



