Cvetanovski e mori sërish rastin “Talir 2” – prokurori që kërkoi anulimin e aktgjykimit, tani do të japë mendim për ankesën

Prokurori Jovan Cvetanovski është prokurori i lartë që duhet t’i japë mendim Gjykatës së Apelit për rastin “Talir 2”, për të cilin pritet vendimi i gjykatës. Kjo është shkalla e fundit që duhet të vendosë nëse formalisht do të konfiskohet apo jo prona e partisë në pushtet VMRO-DPMNE. Sipas procedurave të brendshme, një çështje që më parë ka qenë në trajtim te një prokuror publik, nëse anulohet ose për arsye të tjera kthehet në prokurori, trajtohet nga i njëjti prokuror publik, deklaroi Cvetanovski.
Ai shtoi se brenda një ose dy ditësh do t’i japë mendimin e tij Gjykatës së Apelit, nëse ankesa e kolegut të tij nga Prokuroria e Shkupit është e bazuar apo jo.
Cvetanovski, në fakt, e kishte përfaqësuar këtë çështje para Gjykatës së Apelit edhe në vitin 2023, kur ish-kryeministri Nikola Gruevski ishte dënuar në shkallë të parë me gjashtë vjet burg dhe ishte marrë vendim për konfiskimin e selisë së partisë. Edhe atëherë ai kishte kërkuar anulimin e aktgjykimit, kthimin e çështjes për rishqyrtim, si dhe marrjen parasysh të ndryshimeve në Kodin Penal.
Pasi Prokuroria paraqiti ankesë ndaj aktgjykimit lirues të nxjerrë nga Gjykata Penale për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, ndërsa prona e partisë mbetet e ngrirë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, çështja javën e kaluar mbërriti në Gjykatën e Apelit. Nga Apeli njoftuan se çështja i është dërguar për mendim Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Sipas ligjit, Gjykata e Apelit mund të marrë vendim me të cilin vërteton ose ndryshon aktgjykimin e shkallës së parë, ose mund ta anulojë atë dhe të mbajë seancë publike, pas së cilës do të merret një aktgjykim i ri, ndaj të cilit ekziston e drejta e ankesës në Gjykatën Supreme.
Pas aktgjykimit lirues për Gruevskin, pyetja kryesore është nëse është e mundur apo jo konfiskimi i pronës së partisë në pushtet.
Lënda “Talir 2” u rihap pas vendimit të Gjykatës së Apelit të janarit 2024, kur aktgjykimi i shkallës së parë u anulua për shkak të ndryshimeve të Kodit Penal. Në gjykimin e parë, në vitin 2022, Gruevski ishte dënuar me gjashtë vjet burg me aktgjykim jo të formës së prerë, por procedura u kthye në rigjykim.
Selinë e VMRO-DPMNE-së e ndërtoi kompania e ndërtimit “Beton”, e cila tashmë ka falimentuar. Në atë periudhë, kompania fitonte tenderë, ndërsa, në kundërshtim me ligjin, VMRO-DPMNE kishte përfituar më shumë se tetë milionë euro.



