BotaLajme

COVID: BE dhe AstraZeneca kërkojnë të zgjidhin krizën e furnizimit me vaksina

BE dhe AstraZeneka, prodhuesja e vaksinave Covid me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, janë zotuar të punojnë së bashku për të zgjidhur një konflikt të ashpër mbi mungesat e furnizimit në bllokun europian me 27 anëtarë.

Kjo erdhi pas bisedimeve mbi krizën, të cilat të dy palët i përshkruan si “konstruktive”.

AstraZeneca më herët tha se mund të japë vetëm një pjesë të dozave që premtoi në janar deri në mars, duke ia lënë fajin problemeve të prodhimit në impiantet evropiane.

Por BE-ja tha se firma duhet të respektojë angazhimet e saj dhe të japë vaksinat dhe të lëvizë rezervat nga Mbretëria e Bashkuar.

Kontrata midis BE-së dhe AstraZeneca përmban një klauzolë konfidencialiteti – por BE i ka kërkuar kompanisë t’i publikojë detajet megjithatë.

Raportet thanë javën e kaluar se BE-ja do të merrte 60% më pak doza vaksine – rreth 50 milionë vaksina – nga sa ishte premtuar në tremujorin e parë të vitit.

Vaksina AstraZeneca, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, nuk është miratuar ende nga BE-ja, edhe pse kjo pritet të premten.

BE-ja,  e cila është kritikuar për përhapjen e ngadaltë të vaksinimit – po përballet gjithashtu me vonesa në furnizimet e vaksinës së Pfizer-BioNTech. Blloku ka një marrëveshje shumë më të madhe me prodhuesin amerikano-gjerman.

Pas bisedimeve mbi krizën të mërkurën, Komisionerja e Shëndetësisë e BE-së, Stella Kyriakides shprehu keqardhje për “mungesën e vazhdueshme të qartësisë në afatet e shpërndarjes”.

“Ne do të punojmë me kompaninë për të gjetur zgjidhje dhe për të shpërndarë vaksina me shpejtësi për qytetarët e BE,” shkroi ajo në Twitter.

Një zëdhënës i AstraZeneca tha se kompania ishte “zotuar për një koordinim edhe më të ngushtë për të hartuar së bashku një rrugë për shpërndarjen e vaksinës gjatë muajve të ardhshëm.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close