BotaLajme

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare bien nën 71 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë dje nën nivelin e 71 dollarëve për fuçi, mes sinjaleve për rritje të konkurrencës mes prodhuesve të Gjirit Persik dhe normalizimit gradual të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në bursën e Londrës, një fuçi naftë u tregtua me 78 centë më pak se mbyllja e një dite më parë, duke arritur në 70,79 dollarë. Në tregun amerikan, çmimi ra me 90 centë, në 67,68 dollarë për fuçi.

Tregjet këtë javë janë ndikuar nga shenjat e rikthimit të normalitetit në kalimin e cisternave përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin e naftës në botë.

Kompania Saudi Aramco rifilloi javën e kaluar ngarkimin e naftës në terminalin Ras Tanura, ndërsa SHBA-ja dhe Irani kanë vendosur një kornizë për negociata që synojnë përfundimin e konfliktit.

Sipas mediave britanike, të paktën pesë supertankerë me rreth 10 milionë fuçi naftë janë nisur nga porti Ras Tanura dhe kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit drejt Gjirit të Omanit. Katër supertankerë të tjerë të klasës VLCC ndodhen pranë terminalit, ku tre presin të ngarkohen, ndërsa njëri është tashmë i mbushur me kapacitet të plotë.

Saudi Aramco po ndjek prodhuesit e tjerë rajonalë, të cilët tashmë kanë rifilluar dërgesat përmes Hormuzit dhe kanë ulur çmimet për muajt korrik dhe gusht, pasi vlerësohet se negociatat mes SHBA-së dhe Iranit kanë shënuar përparim dhe se shumica e rafinerive kanë siguruar furnizime të mjaftueshme deri në muajin gusht.

Burime nga tregtia e naftës bëjnë të ditur se kompania saudite u ka sinjalizuar blerësve aziatikë fleksibilitet më të madh në çmime dhe përshtatje me kërkesën afatshkurtër, duke reflektuar konkurrencën gjithnjë e më të fortë mes furnizuesve.

Tregtarët presin që çmimi zyrtar i naftës saudite për muajin gusht të ulet ndjeshëm. Sipas një ankete të Reuters, ulja mund të jetë nga 6,50 deri në 8,80 dollarë për fuçi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close