
Kryeministri Andy Burnham ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë “ta mbështesë Ukrainën 100%”, pasi Moska paralajmëroi për “pasoja” për vendin e tij, pas konfirmimit se dronë të prodhuar në Britani u përdorën në sulmet e fundit ukrainase në Rusi.
“Ne nuk jemi miq vetëm kur moti është i mirë, ne do të jemi atje në orën e nevojës së Ukrainës dhe kjo nuk do të ndryshojë”, ka thënë Burnham.
Ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar ka akuzuar më herët Britaninë se “po zgjedh qëllimisht përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”, duke shtuar se “sa më i thellë të jetë përfshirja e saj në konflikt… aq më i lartë do të jetë çmimi që do të paguajë”.
Ukraina ka shtuar sulmet ndaj Moskës dhe zonave të tjera thellë brenda territorit rus, duke vënë në shënjestër veçanërisht rafineritë e naftës dhe qendrat logjistike të Ëildberries, një prej kompanive kryesore ruse të shitjeve online.
I pyetur për kërcënimin rus, kryeministri ka këmbëngulur se Mbretëria e Bashkuar “po ofron mbështetje në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet dhe ky ka qenë qëndrimi britanik gjatë gjithë këtij konflikti, nga kryeministrat e mëparshëm, dhe kjo mbetet edhe me mua”.
Rusia e ka paralajmëruar në të kaluarën Mbretërinë e Bashkuar për rolin e saj në sigurimin e teknologjisë së dronëve për Ukrainën, si dhe të raketave Storm Shadoë.
Ambasada ruse ka thënë se “veprimet e Londrës në mënyrë të pashmangshme do të sjellin pasoja, për të cilat ajo do të duhet të japë llogari”, por nuk ka dhënë më shumë detaje se çfarë lloj kërcënimi po shqyrtonte Moska.
Faza e fundit e luftës ka ndikuar drejtpërdrejt në furnizimet e brendshme të Rusisë me karburant dhe ka dëmtuar ekonominë ruse.



