LajmeSport

Bulku: Rregulli për aktivizimin e të rinjve në kampionat, investimi më i mirë për futbollin shqiptar

Sezoni i ri i futbollit shqiptar do të sjellë një risi të rëndësishme, me zbatimin e rregullit për aktivizimin e lojtarëve të rinj në kampionat.

Zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare, Ervin Bulku, e vlerësoi këtë vendim si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit dhe për krijimin e më shumë mundësive për talentet e dala nga akademitë.

Në një prononcim për Fshf.org, Bulku tha: “Është një rregull i mirëmenduar. Është një rregull që diskutohet prej vitesh nga Federata e Futbollit, në bashkëpunim dhe në konsultim me të gjitha klubet dhe akademitë në Shqipëri.

Duke parë dhe duke vëzhguar me kujdes të gjitha grupmoshat, kemi vënë re që të gjitha klubet kanë një akademi shumë të mirë në moshat 15, 17 dhe 19 vjeç. Kanë futbollistë shumë të mirë në përbërjen e tyre.

Por, deri në momentin që po flasim, shumë pak klube, tre-katër prej tyre, u kanë dhënë mundësinë këtyre lojtarëve të talentuar, ose këtyre lojtarëve me cilësi shumë të mira, që t’i aktivizojnë në skuadrat e para.

Kemi vënë re se, gjatë gjithë kësaj periudhe, lojtarë të moshave të reja kanë arritur t’i shfaqin vlerat dhe cilësitë e tyre deri në moshën 19-vjeçare në kampionatin përkatës, por nuk kanë pasur hapësirën e duhur për t’i treguar vlerat e tyre në ekipet e para të klubeve ku kanë luajtur. Mendoj se ky vendim dhe ky rregull janë shumë domethënës për vazhdimësinë e këtyre lojtarëve të rinj, sepse ka qenë një pjesë e ndërprerë në mes”.

Bulku theksoi se përfitimet e këtij rregulli do të jenë të dukshme edhe për vetë klubet, duke sjellë si shembull futbollistët e dalë nga akademitë shqiptare që kanë kontribuar në Kombëtare dhe kanë gjeneruar të ardhura për ekipet e tyre.

“Me kalimin e kohës, edhe klubet do ta kuptojnë dhe do të shohin që ky rregull do të jetë një investim shumë i madh për vetë klubin.

Ne kemi shembuj të lojtarëve nga kampionati shqiptar, të dalë nga akademitë e klubeve tona, të cilët përfaqësojnë vendin tonë, Shqipërinë, dhe ekipin tonë kombëtar, por që kanë sjellë edhe të ardhura për klubet ku janë aktivizuar.

Kemi shembuj si Muçi, Shehu, Uzuni dhe Cake. Pra, kemi shumë lojtarë që kanë sjellë të ardhura për klubet, ndaj mendoj se ky rregull është një vendim shumë i rëndësishëm për të gjithë futbollin në përgjithësi, por në veçanti për të gjitha klubet, të cilat duhet të investojnë sa më shumë te moshat dhe akademitë e tyre.

Gjatë kësaj kohe që kemi bërë seleksionime për ekipet kombëtare të të gjitha moshave, U15, U17 dhe U19, kemi parë se kemi lojtarë me vlera, të cilët mund të shfaqen shumë mirë dhe mund t’i ndihmojnë klubet tona”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close