LajmeMaqedoniTopLajm

Bujar Osmani: Energjia e re ndihet në Çair, qytetarët kërkojnë ndryshim

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, vlerësoi se tubimet e fundit publike dhe pjesëmarrja masive pasqyrojnë energjinë e re që po mbizotëron në komunë dhe që paraqet një mesazh të qartë për nevojën e ndryshimeve. Siç theksoi ai, mesazhi që e ka dëgjuar gjatë takimeve derë më derë dhe në ngjarjet publike është se banorët kërkojnë dinjitet dhe një cilësi më të mirë të jetës.

“Po ndodh diçka e pazakontë. Një lloj mobilizimi që nuk është tipikisht partiak. Kanë ardhur njerëz që na kanë thënë, dhe atë në numër shumë të madh: vitin e kaluar kemi votuar për ata, por kemi gabuar. Tani duam ta mbështesim kauzën tuaj. Kanë ardhur edhe njerëz të papërcaktuar, të cilët më thanë: ne kurrë nuk kemi votuar, kurrë nuk kemi dalë në zgjedhje, kemi qenë apolitikë. Por kësaj here nuk duhet të heshtim. Kjo është një energji që vlon,” tha Osmani.

Ai theksoi se mobilizimi i qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo politike, është dëshmi e dëshirës për t’u kthyer dinjiteti dhe për t’u ndërtuar një kulturë e re politike në Çair.

“Që nga dita e parë kam thënë: nuk hyra në këtë garë për ta udhëhequr komunën, por për ta kanalizuar këtë energji të zemërimit, të revoltës që e dëgjoj nga çdo njeri që e kam takuar. Kam takuar mijëra njerëz gjatë këtyre tre muajve të fushatës. Dhe ata flasin për dinjitetin tonë kombëtar që na është marrë dhe poshtëruar, por flasin edhe për dinjitetin e jetës në Çair,” theksoi kandidati.

Osmani përfundoi se “ndryshimi historik” tashmë ka filluar dhe se energjia e re që po demonstrojnë qytetarët do të jetë forca shtytëse për një Çair më të mirë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close