
Në një deklaratë të fuqishme para qytetarëve dhe përfaqësuesve të mediave, Bujar Osmani foli me emocione për Çairin e Vjetër, duke e quajtur atë “një nga pjesët më të bukura dhe më të vlefshme të Çairit”.
“Sot dua të betohem para qytetarëve të Çairit se nuk do të lejoj të shkatërrohet as edhe një centimetër nga gjelbërimi dhe trashëgimia e Çairit të Vjetër,” tha Osmani.
Ai kujtoi se gjatë përgatitjeve për vizionin e zhvillimit të komunës, së bashku me ekspertin ndërkombëtar Mishel Rojkin, kishin vizituar lagjen e vjetër të Çairit, ku kishin mbetur të mahnitur nga bukuria dhe autenticiteti i ndërtesave e parqeve. “Misheli më tha: Ruajeni këtë si sytë e ballit! Nuk ka më në botë lagje të tilla me ndërtesa, parqe dhe hapësira që bashkohen kaq natyrshëm me jetën e njerëzve!” – tregoi Osmani, duke theksuar se ky është një amanet që do ta mbajë me përkushtim.
Ai shtoi se në vend që të ndërtohen pallate e beton, do të restaurohet dhe rregullohet Çairi i Vjetër, për ta kthyer në një qendër kulturore e turistike që pasqyron shpirtin e vërtetë shqiptar të Shkupit. “Çairi i Vjetër është historia jonë e gjallë. Kush prek Çairin, prek identitetin tonë!” përfundoi Osmani, duke dhënë një mesazh të qartë për mbrojtjen e trashëgimisë dhe mjedisit urban të kësaj zone ikonike. Shkruan Top24



