
I ngarkuari me Punë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Christian Bottcher, ka qenë ndër të parët që ka uruar Albin Kurtin për mandatin e ri në udhëheqje të qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bottcher, menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare, tha se ia ka përcjellë Kurtit urimet e Ambasadorit për konstituimin e suksesshëm të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
“Duke u mbështetur në marrëdhënien e ngushtë dhe të veçantë mes Kosovës dhe Gjermanisë, presim të vazhdojmë dhe të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë dypalësh – në fushën e ekonomisë, sigurisë, politikës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Kosova nuk ka vetëm një mik, por një partner të fortë dhe të besueshëm në Gjermani”, u shpreh Bottcher.
Ai tha se Gjermania pret të punojë së bashku me qeverinë e re “në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës”.
“Urimet më të mira për sukses në mandatin e ri, i nderuar Kryeministër”, u tha në urimin e të ngarkuarit me Punë në Ambasadën Gjermane në Kosovë, Christian Bottcher.



