LajmeMaqedoniTopLajm

“Bota serbe” nuk është thjesht simbolikë, rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut

Se shqetësimi i shprehur në Raportin e Parlamentit Europian lidhur me Maqedoninë e Veriut, respektivisht me promovimin e të ashtuquajturës “botës serbe” nga disa zyrtarë qeveritar të Maqedonisë së Veriut, nuk është nxjerrë si mësim nga Shkupi zyrtar e vërtetojnë defilimet e reja të krerëve të lartë shtetëror të Serbisë në Maqedoninë e Veriut. Njohësit e rrethanave politike shtrirjen e ndikimit të “botës serbe” në vend e vlerësojnë si pjesë të propagandës “serbomadhe” kurse kanë reaguar dhe partitë shqiptare. Nga partia maqedonase VMRO-PP, thonë se “politika serbomadhe dhe shovinizmi ndaj Maqedonisë po merr dimension tjetër dhe kjo falë qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM”, shkruan Portalb.mk.

Fundjavën e kaluar, (12 shtator) me rastin e 109-vjetorit të Betejës së Kajmakçalanit, një delegacioni i Serbisë, që përfshinte klerikë nga Kisha Ortodokse Serbe dhe ushtarë të ushtrisë së Serbisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Serbisë, vendosën kurora me lule në majën e Kajmakçalanit, për të shënuar ngjarjen historike të quajtur “Fronti i Selanikut”. Por ngjarja nuk do merrte jehonë, nëse protagonistët nuk do kujdeseshin që të japin edhe mesazhe politike dhe provokative. 

“Nën “Flamurin e Unitetit”, ne nderojmë paraardhësit tanë dhe dëshmojmë vëllazërinë mes serbëve dhe maqedonasve – i njëjti trung, e njëjta rrënjë, e ardhme e përbashkët”, shkroi në rrjete sociale ministrja serbe e Punës dhe Politikave Sociale, Milica Gjurgjeviç Stamenkovski, duke promovuar ngjarjen, ku prezent kishte edhe përfaqësues nga ekzekutivi i Maqedonisë së Veriut.  

Ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, ish-drejtor i agjencisë sekrete serbe BIA, dërgoi porosi politike në përkujtimin shtetëror më 7 shtator 2025 në Kajmakçalan: atje “u hap rruga drejt lirisë” dhe prej andej filloi “kthimi në atdhe”, “Porta e Lirisë” përmes së cilës ushtria serbe “hyri përsëri në tokën e vet”. 

“Bota serbe” dhe synimi i saj 

Njohësi i rrethanave politike në vend, Sefer Selimi në prononcimin e tij për Portalb.mk, ka sqaruar konceptin e “botës serbe”.
“Bota serbe” është koncept politik, i cili është një kopje e “Botës ruse” -Ruski Mir- në gjuhën origjinale. Një projekt gjeopolitik që ka për qëllim ta kthejë Beogradin në epiqendrën e vendimeve politike, të shtrirjes kulturore dhe të orientimit gjeopolitik. Pra, instrumentalizimi i mëtejshëm i segmenteve shoqërore për ta vendosur Beogradin në epiqendrën e vendimmarrjes”, tha Selimi. 

Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook
Sefer Selimi, foto nga profili i tij në Facebook

Instrumentet e tjera që përdoren në mënyrë aktive, sipas Selimit janë edhe agjencitë dhe shërbimet e inteligjencës, të cilat aktivizojnë çdo instrument tjetër në dispozicion që politika serbe të implementohet dhe të pranohet në shtetet ku synon të shtrihet. Këtu, shton tutje Selimi, përfshihen edhe politika zyrtare dhe jozyrtare. 

“Ky është revizionizëm historik që përpiqet të instalohet përmes politikës zyrtare të Beogradit dhe, fatkeqësisht, i mirëpritur apo i aprovuar në një formë nga qeveria e Maqedonisë ka për qëllim shtrembërimin e historisë dhe paraqitjen e fakteve historike në një dritë tjetër, duke tentuar që Serbia të shihet si “çlirimtare” apo “vëllai i madh” i Maqedonisë. Gjithashtu, duhet theksuar instrumentalizimi i Kishës Ortodokse Serbe dhe ndikimi i jashtëzakonshëm që ajo ka mbi Kishën Ortodokse Maqedonase. Edhe kjo përdoret për të shtyrë idenë e “Botës serbe” dhe për të rritur ndikimin serb në Maqedoninë e Veriut”, tha për Portalb.mk Selimi.  

Selimi nënvizon se ndërhyrjet vërehen në të gjitha fushat me një intensitet shumë të madh, sidomos me ardhjen në pushtet të qeverisë së re dhe me pjesëmarrjen e partisë VMRO-DPMNE dhe VLEN-it, si dhe rolit të partisë ZNAM, që ka një afërsi shumë të madhe se partitë tjera me Serbinë.  

Për të lexuar artikullin e plotë, në Portalb.mk

Related Articles

Back to top button
Close
Close