
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka ndërprerë vizitën e tij në Afrikën e Jugut pas një vale të re sulmesh ajrore ndaj Ukrainës gjatë natës, ku raportohen 9 viktima dhe mbi 80 të plagosur.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky tha se do të informojë presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, për situatën dhe nevojën për të intensifikuar përpjekjet diplomatike globale.
Takimi mes dy liderëve pritet të zhvillohet gjatë paradites së sotme, megjithatë pjesa tjetër e vizitës zyrtare në Afrikën e Jugut do të anulohet, pasi Zelensky synon të kthehet menjëherë në Ukrainë.
Ai theksoi se ndalimi i sulmeve është i domosdoshëm, i menjëhershëm dhe pa kushte, duke shtuar gjithashtu se pret ndihmë në çështje humanitare, përfshirë kthimin e të burgosurve dhe fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Zelensky njoftoi gjithashtu se do t’u kërkojë partnerëve ndërkombëtarë mbështetje për forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, për të parandaluar sulme të tjera të ngjashme.



