
Sekretari Organizativ i Bashkimit Demokratik për Integrim, Blerim Bexheti përmes një postimi në profilin e tij ka dalur në mbështetje të fuqishme të vendimeve të kryetarit të kësaj partie Ali Ahmeti, shkruan Top24
Me vendosmërinë e një udhëheqjeje të qartë dhe me vizion të përbashkët për të ardhmen, Bashkimi Demokratik për Integrim, nën lidershipin e Kryetarit Ali Ahmeti, ka hedhur sot hapin vendimtar drejt zgjedhjeve lokale që do të kenë karakter të një referendumi për shqiptarët në këtë shtet.
Këto zgjedhje nuk janë thjesht garë për pushtet lokal janë një moment për unifikimin e votës shqiptare, një shans për të dëshmuar pjekurinë tonë politike dhe përgjegjësinë ndaj të ardhmes sonë evropiane. Ato janë një vendim popullor për drejtimin që meritojmë me përfaqësues të denjë, me ide të qarta dhe me vizion zhvillimi për çdo komunë, si dhe vazhdimin e rrugës sonë evropiane.
E ardhmja fillon nga lokalet. Këtë herë, fletëvotimi do të jetë më shumë se zgjedhje do të jetë zëri i popullit dhe vendimi i një populli për drejtimin që e ka përcaktim.
Me vendimin e sotëm, z. Faton Ahmeti emërohet në krye të Shtabit Qendror Zgjedhor.
Ndërsa Kryesia Qendrore e BDI-së ka konfirmuar një pjesë të kandidatëve për komunat kyçe, duke dëshmuar përgatitje serioze dhe përgjegjësi të lartë politike:
Dr. Bujar Osmani – kandidat për Komunën e Çairit
z. Bajram Rexhepi – kandidat për Komunën e Tetovës
z. Emir Sulejmani – kandidat për Komunën e Zhelinës
z. Valdet Xhaferi – bartës i listës për Këshillin Komunal në Gostivar
z. Faton Pollozhani – bartës i listës për Këshillin Komunal në Strugë
Besimi është i plotë se secili prej tyre do të jetë zëri, dora dhe vizioni i qytetarëve në terren. Uroj suksese dhe punë të mbarë në këtë mision të rëndësishëm politik dhe kombëtar!
Në tetor, do të flasë populli me votën e vet, me vullnet të qartë dhe me mesazh të fortë!



