BotaLajme

Bisedimet SHBA-Iran/ Delegacioni iranian largohet nga vendi i takimit në Zvicër, Ghalibaf: Trump të jetë i kujdesshëm me deklaratat

Delegacioni iranian u largua nga vendi i takimit në Zvicër ku zhvilloi bisedime me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, pasi Donald Trump kërcënoi të godiste republikën islamike për shkak të mbështetjes së saj për Hezbollahun.

Mosmarrëveshjet mbi pikat kryesore të paktit dhe kërcënimi për luftime të reja ndikuan në bisedime, me Uashingtonin dhe Teheranin që shkëmbyen kërcënime paralelisht me negociatat.

“Delegacioni i Republikës Islamike të Iranit, pas takimit me delegacionin e Katarit si një nga palët ndërmjetësuese, u largua nga ndërtesa ku po zhvilloheshin negociatat”, tha agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, IRNA.

“Në të njëjtën kohë që filluan bisedimet në Zvicër, Donald Trump publikoi një mesazh në X në të cilin përsëriti kërcënimet dhe vërejtjet e tij kundër Iranit”, shtoi ajo.

Megjithatë, një diplomat me njohuri mbi bisedimet i tha AFP-së se iranianët nuk kishin hequr dorë përfundimisht nga negociatat.

Trump më parë kishte kërcënuar se do të godiste Iranin nëse ky i fundit nuk “i ndalonte menjëherë përfaqësuesit e tyre të paguar shumë në Liban që të shkaktonin probleme”.

Irani u kundërpërgjigj me një paralajmërim të vetin.

“Do të ishte më mirë që ata të ishin të kujdesshëm me deklaratat e tyre; forcat tona të armatosura janë të gatshme t’u përgjigjen atyre në një mënyrë të ndryshme. Pavarësisht se çfarë thonë, ne jemi ata që veprojmë”, tha kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.

Transmetuesi shtetëror i Iranit tha se programi bërthamor nuk ishte diskutuar “gjatë raundit të parë 80-minutësh të bisedimeve” të dielën. Thuhet se fokusi kishte qenë në zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit midis Teheranit dhe Uashingtonit, si dhe në situatën në Liban.

Sakaq, Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se Teherani nuk do të heqë dorë nga e drejta e tij për të pasuruar uranium, por mohoi dëshiron për armë bërthamore.

“Mund të deklarojmë gjithashtu me shkrim se nuk kemi ndërmend të ndërtojmë një bombë”, tha ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close