
Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë takim online të mërkurën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, raporton Reuters. Bisedimet do të përfshijnë diskutimin e planeve për ta goditur Iranin, sipas një personi të afërt me këtë çështje.
Netanyahu ka premtuar se Irani do të paguajë për sulmin raketor, ndërsa Teherani ka thënë se çdo kundërpërgjigje do të shkaktojë dëme të tjera, duke e rritur frikën për luftë të gjerë në rajonin e prodhimit të naftës, e cila mund ta tërheqë edhe SHBA-në.
Hakmarrja e Izraelit do të jetë subjekti kryesor i thirrjes, me Washingtonin që shpreson të vlerësojë nëse përgjigja është e përshtatshme, tha një person i informuar për diskutimet.
Bideni ka thënë të premten e kaluar se do t’i mendojë alternativat sa i përket goditjes së fushave të naftës iraniane, duke shtuar se mendonte që Izraeli nuk ka arritur në përfundimin se si t’i përgjigjej Iranit. Javën e kaluar, Bideni ka thënë gjithashtu se nuk do ta mbështeste vendimin e Izraelit për t’i goditur objektet bërthamore iraniane.
Izraeli është përballur me thirrje për ta pranuar marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe Liban nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë, por ka thënë se do t’i vazhdonte operacionet ushtarake derisa izraelitët të jenë të sigurt.
Bideni dhe ndihmësit e tij kanë folur për një telefonatë të mundshme me Netanyahun që nga fundi i shtatorit. Do të ishin bisedimet e tyre të para publike që nga gushti, mes një përshkallëzimi të mprehtë të konfliktit, si me Hezbollahun ashtu edhe me Iranin.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mbështesin Izraelin në sulmin ndaj objektivave.
Bideni dhe Netanyahu kanë pasur mosmarrëveshje për zhvillimin e luftës në muajt e fundit.



