LajmeMaqedoni

Biblioteka e Tetovës, një institucion i ndarë në gjysmë

Biblioteka në ambientet e saj disponon me vetëm 60 për qind të fondit (nga gjithsej 110 mijë njësi bibliotekare), ndërsa pjesa tjetër gjendet e shpërndarë në më shumë institucione, teatri, fakultete, qendra e kulturës… Dhe kjo situatë do të vazhdojë të jetë e tillë, deri në ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, projektit që po zvarritet prej më shumë se një dekade.

E shpallur dy vjet më parë si “Biblioteka e Vitit”, Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” numëron një numër të kënaqshëm lexuesish aktivë, rreth gjashtë mijë. Pavarësisht kushteve dhe fondit të shpërndarë në më shumë objekte. Biblioteka në ambientet e saj disponon me vetëm 60 për qind të fondit (nga gjithsej 110 mijë njësi bibliotekare), ndërsa pjesa tjetër gjendet e shpërndarë në më shumë institucione, teatri, fakultete, qendra e kulturës… Dhe kjo situatë do të vazhdojë të jetë e tillë, deri në ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, projektit që po zvarritet prej më shumë se një dekade. Drejtori i Bibliotekës, Binas Pajaziti, thotë se një nga variantet mund të jetë edhe një transferim në objektin e papërfunduar.

“Prej disa vitesh ballafaqohemi me problemin e hapësirave. Janë vetëm 200 metra katrorë he ndërkohë objekti i ri nuk po përfundon. Nuk dihet se kur. Një zgjidhje mund të jetë edhe zhvendosja në hapësirat e reja, në pjesën e bibliotekës, pasi është mbi 70 për qind e përfunduar. Por është një çështje që nuk varet nga ne, thotë drejtori.

Mungesa e kushteve përbën rrezik për vetë librat. Sidomos ne epokën e teknologjisë, ku informacioni është më i aksesueshëm se kurrë, leximi mbetet një nga aktivitetet më të vlefshme për zhvillimin intelektual dhe emocional të individit, thotë Gjylten Ajruli, punonjëse në “Koço Racin” .

“Mbajtja e librave në hapësira të tjera mund të jetë funksionale, por jo adekuate për librin. Përskaj zbehjes së dëshirës për të lexuar apo edhe të një krize të të lexuarit, vazhdon të numërojë afro 6 mijë lexues aktiv dhe të radhitet ndër bibliotekat e para në vend me numër më të madh lexuesish, numër ky që aspak nuk duhet të jetë i mjaftueshëm kur dihet që Tetova është qytet me shumë shkolla dhe dy universiteteve. Faktorët që kanë ndikuar në ‘shkëputjen’ e lexuesit janë të shumtë”, thotë Ajruli. Po cilët tituj kanë qenë më të lexuar këtë vit? Sipas të dhënave, librat si – “Trëndafilat e humbur” dhe “Vajzat pa emër” nga Martha Hall Kelly, apo “Ishulli i pemëve të zhdukura” nga Elif Shafak…, kryesojnë listën e librave më të preferuar.

Statistikat më të fundit zyrtare (deri në fund të vitit 2022) tregojnë se numri i bibliotekave është ulur ndjeshëm krahasuar me vitin 2019, sidomos i atyre të specializuara (është ulur me 2.1 për qind). Gjithsej numërohen Biblioteka kombëtare – 1, Biblioteka universitare – 67, Biblioteka të specializuara – 46, Biblioteka të përgjithshme shkencore – 1, Biblioteka – institucione kombëtare – 5, Biblioteka publike (popullore) – 40. Të gjitha së bashku kanë mbi 2.3 milionë tituj dhe mbi 83 mijë anëtarë.

RIO DE ZHANERIO: “’LEXO NË MËNYRËN TËNDE”

Çdo vit më 23 prill, bota bashkohet për të shënuar Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, një ngjarje globale e organizuar nga UNESCO. Këtë vit Rio de Zhanerio është zgjedhur nga UNESCO si kryeqyteti i librit. Me mesazhin “Lexo në mënyrën tënde” , kjo temë thekson rëndësinë e përfshirjes dhe diversitetit në lexim, inkurajon lexuesit të eksplorojnë zëra, perspektiva dhe kultura të ndryshme përmes letërsisë, duke promovuar ndjeshmërinë dhe mirëkuptimin global. Dita Botërore e Librit u krijua nga UNESCO në 1995. Ideja origjinale erdhi nga autori spanjoll Vicente Clavel Andrés, i cili donte të nderonte autorin Miguel de Servantes. Që nga viti 1995, Dita Botërore e Librit ka evoluar në një ngjarje të madhe globale që përfshin shkolla, biblioteka, autorë dhe botues për të përhapur gëzimin e leximit. Në disa vende si Britania e Madhe dhe Irlanda, festohet në mars, por globalisht, 23 Prilli është dita e njohur.

INDIA, TAJLANDA, KINA, FILIPINET DHE EGJIPTI DERI NË 10 ORË LEXIM

World Culture Score Index kreu një studim global për të matur sasinë e kohës që njerëzit në mbarë botën shpenzojnë duke lexuar në baza javore. Rezultatet e këtij studimi nuk specifikojnë se çfarë lloj materiali po lexohet, i cili mund të jetë çdo gjë nga lajmet në internet, e-mailet e punës dhe revistat e deri tek librat në shtyp. India, Tajlanda, Kina, Filipinet dhe Egjipti janë pesë vendet ku njerëzit kalojnë nga mbi 10 orë në javë deri në 7 duke lexuar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close