LajmeOpinion

BETEJA PËR TETOVËN

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të jenë një barometër për peshën e partive politike shqiptare, jo vetëm në Tetovë. Në vlugun e debateve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që i kërkon opozita, për ndryshimet kushtetuese që i kërkon Propozimi Francez dhe për krizën ekonomike që shkon drejt përkeqësimit, zgjedhjet në Tetovë do të përcaktojnë trajektoret e partive shqiptare në nivel nacional dhe fatin e tetovarëve në nivel lokal.

Shkruan: Xhelal Neziri

https://www.facebook.com/watch/?v=602803361373831

Pakkush ka pritur se zgjedhjet e përsëritura për Këshillin Komunal të Tetovës do të shndërrohen në një arenë përplasjesh midis partive politike shqiptare. Pa koalicione apo lista të përbashkëta, në zgjedhjet e parakohshme marrin pjesë gjithsej 11 parti politike dhe dy iniciativa qytetarësh. E gjithë kjo garë është për të fituar shumicën e Këshillit, që numëron gjithsej 31 këshilltarë.

Këto zgjedhje erdhën në kohën e pushimeve verore për shkak të pamundësisë së përbërjes aktuale që të miratojë llogarinë vjetore komunale për vitin 2021. Në bazë të Nenit 75 të Ligjit për vetëqeverisje lokale të Maqedonisë së Veriut, Këshilli shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja nëse përbërja “sërish e miraton dispozitën që paraprakisht është anuluar ose ndërprerë me vendim të Gjyqit Kushtetues”, “nëse sjell vendim me të cilin rrezikohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës”, “nëse nuk takohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj” dhe nëse “nuk e miraton buxhetin dhe llogarinë përfundimtare të buxhetit deri në 31 mars të vitit vijues”. Pra, është pika e fundit ajo që ndali mandatin e përbërjes aktuale të Këshillit dhe që nxiti zgjedhjet, të cilat Parlamenti i caktoi të mbahen më 20 gusht.

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura në tetor të vitit 2021, e para me vota doli Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit, parti që grumbulloi gjithsej 10.114 vota, që i sollën 10 nga 31 ulëset në Këshill. E dyta rezultoi BESA me 8.367 vota, apo 8 këshilltarë. E treta ishte Aleanca për Shqiptarët me 3.912 vota, rezultat i përkthyer në 3 këshilltarë, kurse PDSH-ja grumbulloi 2.526, që i sollën dy këshilltarë. Ме 2.842 vota dy vende në Këshillin e Tetovës fitoi edhe iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”. Në bllokun politik maqedonas 4 këshilltarë fitoi VMRO-DPMNE, kurse 2 LSDM-ja.

Pse votimet për Këshill janë aq të rëndësishme për partitë politike shqiptare? Ka dy arsye për këtë:

E para ka të bëjë me kontrollin e Këshillit të komunës më të madhe shqiptare. Në këtë territor janë të koncentruara investimet më të mëdha, sidomos në biznesin e ndërtimtarisë. Në bazë të Nenit 36 të Ligjit të vetëqeverisjes lokale, Këshilli ka kompetenca edhe të përcaktojë shumën e burimeve personale të të ardhurave të financimt të komunës, të themelojë veprimtari publike në suaza të kompetencave të komunës dhe të bëjë mbikqyrjen mbi punën e tyre, të emërojë anëtarë të këshillave drejtues të veprimtarive publike të cilat i themelon, të sjellë programe për punë dhe plane financiare për financim të veprimtarive publike që i ka themeluar komuna, t’i miratojë raportet për realizimin e buxhetit dhe llogarinë vjetore të komunës, të vendosë për dhënien e lejeve për kryerje të veprimtarisë të interesit publik me rëndësi lokale, të vendosë për mënyrën e disponimit me pronën e komunës, të vendosë për mënyrën e kryerjes së kontrollit financiar të buxhetit të komunës e tjera. Kjo gamë e kompetencave e bën Këshillin menaxhues të komunës, kurse Kryetarin – vetëm zbatues të vendimeve që i marrin shumica e këshilltarëve. Për shembull, nëse shumicën e Këshillit do ta përbëjë një koalicion BDI-PDSH-Alternativa, atëherë kryetari aktual i Komunës, Bilall Kasami, i cili njëherësh është edhe kryetar i BESA-s, do të jetë vetëm zbatues i vendimeve që do të marrë Këshilli.

E dyta ka të bëjë me simbolikën që bart Tetova si qytet dhe komunë. Partitë shqiptare që kanë grumbulluar më shumë vota në Tetovë përherë kanë fituar edhe zgjedhjet parlamentare. Në bazë të regjistrimit të vitit 2021, Tetova numëron gjithsej 86.580 banorë, prej të cilëve 60.886 janë shqiptarë etnikë. Kjo e bën Tetovën hambarin më të madh të votave për partitë shqiptare, sidomos nëse kihet parasysh fakti se kjo komunë është në Njësinë Zgjedhore 6, e cila jep numrin më të madh të deputetëve shqiptarë – 15 nga gjithsej 20. Është një hambar votash, kontrolli i të cilit më pas sjell mbështetje edhe në komunat tjera me shumicë etnike shqiptare. Për shembull, BDI në zgjedhjet e fundit ka marrë më shumë vota në Tetovë, e pasuar nga Çairi (10.887), Saraji (9.738), Strugë (8.737), Kërçovë (7.125) e kështu me radhë. Aleanca për Shqiptarët (ASH) në zgjedhjet lokale ishte në koalicion me Alternativën, me ç’rast për listat e përbashkëta për këshilltarë numrin më të madh të votave e ka në Gostivar (8.856), i pasuar nga Çairi (6.805), Struga (6.535), Vrapçishti (3.599) e tjera.

Sido që të jetë, më 20 gusht qytetarët do të japin vlerësimin e tyre për punën e deritashme të pushtetit të BESË-s në Tetovë dhe për vizionin e listave që garojnë për të drejtuar komunën. Rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të jenë një barometër për peshën e partive politike shqiptare, jo vetëm në Tetovë. Në vlugun e debateve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që i kërkon opozita, për ndryshimet kushtetuese që i kërkon Propozimi Francez dhe për krizën ekonomike që shkon drejt përkeqësimit, zgjedhjet në Tetovë do të përcaktojnë trajektoret e partive shqiptare në nivel nacional dhe fatin e tetovarëve në nivel lokal.

Related Articles

Back to top button
Close
Close