
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një takim në selinë e PD me Patrick Voller, Drejtorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Partisë Popullore Europiane (EPP). Përmes një postimi në Facebook, Berisha bëri të ditur se takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe të hapur, ku u trajtua situata politike në vend.
Gjatë bisedës, Berisha e informoi Voller mbi atë që e cilësoi si “realitet dramatik që po përjeton Shqipëria nën narko-regjimin e Edi Ramës”, duke e akuzuar mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve dhe kontroll të institucioneve.
Ai foli për zgjedhjet e 11 majit, që sipas tij u karakterizuan nga një “farsë elektorale”, ku u përdorën patronazhistët, teknologjitë e manipulimit dhe ndikimi i karteleve të drogës për të vendosur kandidatë të caktuar në pushtet me dhjetëra mijëra vota të fabrikuara.



