
Kuqezinjtë sot me fillim prej ora 20:00 sipas kohës sonë lokale do përballen me kampionin e Uellsit në ndeshjen e parë të raundit të parë të eliminatoreve të UEFA Champions League. Pak para seancës zyrtare stërvitore në “Park Hall Stadium”, trajneri Jeton Beqiri foli para mediave për pritjet e ekipit nga kjo përballje.
“Jemi të gatshëm në maksimum për tu përballur me kundërshtarin e nesërm. Nga fillimi i fazës përgatitore kemi punuar me shumë seriozitet dhe pas shortit jemi përgatitur për përballjen e nesërme. Besoj se skuadra dhe futbollistët do të japin më të mirën nesër. Besoj i kemi analizuar mirë, kanë pasur edhe ndeshje jo zyrtare të cilat kryesisht janë filmuar me kamera jo profesionale.
Por besoj se kemi arritur të marrim informacionet e duhura. Kanë tre apo katër ndryshime në skuadër, kryesisht është një formacion që standard e përdorin. Shpresoj që tu kemi dhënë informacione të mjaftueshme dhe të sakta futbollistëve nga të cilës pres nesër të japin maksimumin dhe të dalim me rezultat pozitiv”, theksoi Jeton Beqiri.
Sulmuesi Besart Ibraimi foli me besim dhe vlerësim për kundërshtarin TNS, duke theksuar njohjen e mirë të ekipit dhe përgatitjen e kujdesshme të skuadrës.
“TNS është një kundërshtar që e njohim mirë. I kemi analizuar me kujdes, duke evidentuar pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Kemi kujtime pozitive nga përballjet e kaluara me ta dhe gëzohemi që do të luajmë sërish kundër tyre. Shpresoj që edhe këtë herë të dalim fitues”, tha Besart Ibraimi:
Shkëndija kërkon të nisë me këmbë të mbarë rrugëtimin evropian, me synimin për të kaluar në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Përkrahja e tifozëve dhe përkushtimi në fushë mbeten shtyllat kryesore në përpjekjen për një tjetër sukses ndërkombëtar.



