
Reagim i Shtabit Politik të BDI-së – Tetovë
BILALL KASAMIT I PENGON FJALA E LIRË
Shtabi Politik i BDI-së në Tetovë dënon ashpër vendimin e sotëm të Kryetarit të Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, për degradimin në detyrë dhe në vend pune të z. Ylber Jahija – nga pozita e Këshilltarit për Menaxhimin dhe Koordinimin e Resurseve Njerëzore, në nëpunës në Infoqendrën e qytetit.
Për ne, si Shtab Politik i BDI-së në Tetovë, ky vendim i kryetarit të komunës përbën një akt të qëllimshëm dhe tendencioz të degradimit të z. Ylber Jahija, si pasojë e angazhimit të tij të deritanishëm si editor i portalit Top24.mk, ku në mënyrë të vazhdueshme ka qenë mbrojtës i fjalës së lirë dhe kritik i dukurive negative në qytetin tonë dhe më gjerë.
Vlerësojmë se ky veprim nuk është as reformë dhe as riorganizim, por një hakmarrje e ulët politike ndaj një nëpunësi dhe gazetari të guximshëm, i cili përmes portalit të tij ka denoncuar padrejtësi, keqqeverisje dhe paaftësi të shumta të pushtetit lokal aktual.
U bëjmë thirrje të punësuarve në administratën komunale që të mos lejojnë që Komuna e Tetovës të shndërrohet në një laborator të frikës, heshtjes dhe nënshtrimit politik.
Gjithashtu, i përcjellim një mesazh të qartë kryetarit Kasami: çdo tentativë për të shtypur lirinë e shprehjes dhe të medias do të hasë në kundërshtimin e vendosur të BDI-së. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe do të qëndrojmë në krah të çdo individi që i ushtron ato në mënyrë të përgjegjshme.
Për abuzuesit me funksionet publike – përfshirë edhe kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami kemi vetëm një porosi: koha e llogaridhënies po afrohet. Tetori është pranë!
Me respekt,
Shtabi Politik i BDI-së – Tetovë



