
BDI ka reaguar përmes një kumtese pasiqë Këshilltarët e BDI-së nuk u pajtuan që propozimi i tyre për riemërtimin e 67 rrugëve të jetë i fundit, pas 25 pikave të parashikuara tashmë në rendin e ditës, shkruan Top24.
REAGIM
Të nderuar qytetarë,
Paska qenë problem që propozimi për emërtimin e rrugëve të diskutohej si **pika e parë** e rendit të ditës. Jo përmbajtja, jo argumentet, jo historia e Tetovës… por renditja.
Sa herë në këtë mandat janë vendosur si pika të para vendimet për RRITJEN E TAKSAVE, për KONCESIONET, për PARTNERITETET PUBLIKO PRIVATE dhe për SHITJEN E PRONËS PUBLIKE? Atëherë askush nuk foli për “praktikën e deritanishme”. Atëherë urgjenca ishte e padiskutueshme.
Kur bëhet fjalë për të rënduar xhepin e qytetarëve, gjithçka duhet të ecë shpejt.
Kur bëhet fjalë për vjedhjen e organizuar të pronës publike, gjithçka duhet të ecë shpejt.
Kur bëhet fjalë për koncesione, gjithçka duhet të ecë shpejt.
Mirëpo, kur në rend dite vjen një çështje që prek IDENTITETIN, HISTORINË dhe DINJITETIN e Tetovës, papritur na kujtohet se paska një radhitje që nuk duhet prishur.
Ironia është se për disa, XHEPI I QYTETARIT meriton prioritet vetëm kur duhet të ZBRAZET, ndërsa IDENTITETI i qytetit nuk meriton prioritet as për t’u diskutuar.
Na thuhet se askush nuk ka monopol mbi patriotizmin. Është e vërtetë. Patriotizmi nuk matet me deklarata në Facebook pas përfundimit të seancës. Matet me prioritetet që vendos në sallën e Këshillit.
Sepse prioritetet nuk gënjejnë.
Kur taksat janë gjithmonë në fillim, ndërsa identiteti i Tetovës duhet të presë deri në fund, qytetarët e kuptojnë vetë se çfarë konsiderohet e rëndësishme dhe çfarë jo.
Në koordinimin e fundit mes këshilltarëve sot, vetë ata propozuan që kjo pikë e rendit të ditës të shqyrtohej pas mbledhjes së Komisionit, por tashmë as këtë propozim të vetin nuk po e respektojnë.
Tetova meriton më shumë respekt. Jo vetëm në fjalë, por edhe në vebdosjen e prioriteteve.



