LajmeMaqedoniTopLajm

BDI: Dita e dytë e heshtjes, Inspektorati i Gjuhës të veprojë ose drejtori të japë dorëheqje

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar për të dytën ditë radhazi, duke akuzuar Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve për mosveprim lidhur me, siç thotë, shkeljen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e kryetarit të Qytetit të Shkupit.

Sipas BDI-së, kryetari i Shkupit jo vetëm që nuk e ka korrigjuar shkeljen, por ka injoruar reagimet e qytetarëve shqiptarë, pa dhënë asnjë sqarim apo kërkimfalje.

Partia kritikon edhe heshtjen e Inspektoratit, duke theksuar se ky institucion ka detyrim ligjor të konstatojë shkeljet, të urdhërojë korrigjimin e tyre dhe të ndërmarrë masa ndaj institucioneve që nuk zbatojnë ligjin.

“Drejtori i Inspektoratit paguhet për të vepruar, jo për të heshtur. Çdo ditë heshtjeje e bën atë bashkëpërgjegjës për tolerimin e kësaj shkeljeje dhe për degradimin e pozitës institucionale të gjuhës shqipe”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI kërkon:

hapjen e menjëhershme të procedurës së inspektimit;
konstatimin zyrtar të shkeljes;
urdhër për korrigjim të menjëhershëm;
masa ligjore ndaj përgjegjësve;
njoftim publik për veprimet e ndërmarra.

Në fund, partia thekson se nëse drejtori i Inspektoratit nuk është i gatshëm ose i aftë të ushtrojë detyrën e tij, atëherë duhet të japë dorëheqje, duke shtuar se do të vazhdojë betejën me mjete ligjore, institucionale dhe politike deri në zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

Reagimi i plote

DITA E DYTË E HESHTJES: INSPEKTORATI I GJUHËS TË BËJ DETYRËN E VET OSE TË DORHIQEN

Për të dytën ditë me radhë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve vazhdon të heshtë, ndërsa kryetari i Qytetit të Shkupit shkel hapur detyrimet ligjore për përdorimin e gjuhës shqipe.

Kryetari i Shkupit jo vetëm që nuk e ka korrigjuar shkeljen, por ka zgjedhur ta injorojë plotësisht reagimin e shqiptarëve. Asnjë përgjigje, asnjë sqarim, asnjë ndjesë dhe asnjë gatishmëri për ta respektuar ligjin. Kjo sjellje tregon arrogancë institucionale dhe bindjen se gjuha shqipe mund të përjashtohet pa pasoja.

Edhe më e rëndë është heshtja e institucionit që ekziston pikërisht për raste të tilla. Inspektorati financohet nga qytetarët, ka administratë, kompetenca dhe përgjegjësi të qarta për të konstatuar shkeljet, për të urdhëruar korrigjimin e tyre dhe për të ndërmarrë masa ndaj institucioneve që nuk e zbatojnë ligjin.

Drejtori i Inspektoratit paguhet për të vepruar, jo për të heshtur. Ai nuk mund të qëndrojë i fshehur pas zyrës së tij, ndërsa ligji shkelet publikisht në kryeqytet. Çdo ditë heshtjeje e bën atë bashkëpërgjegjës për tolerimin e kësaj shkeljeje dhe për degradimin e pozitës institucionale të gjuhës shqipe.

Kërkojmë menjëherë:

* hapjen e procedurës së inspektimit;
* konstatimin zyrtar të shkeljes;
* urdhër për korrigjim të menjëhershëm;
* masa ligjore ndaj personave përgjegjës;
* njoftim publik për veprimet e ndërmarra.

Nëse drejtori nuk është i gatshëm ose nuk është i aftë ta ushtrojë përgjegjësinë që i është besuar, atëherë duhet të japë dorëheqje pa vonesë.

Qyteti i Shkupit për vite ka qenë shembull i zbatimit të dygjuhësisë dhe i respektimit të karakterit të tij shumëetnik. Përpjekja aktuale për ta shtyrë gjuhën shqipe jashtë hapësirës publike dhe institucionale është provokim i qëllimshëm dhe kthim prapa.

Do ta vazhdojmë këtë betejë çdo ditë, me të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe politike, deri në respektimin e plotë të ligjit dhe rikthimin e gjuhës shqipe në vendin që i takon në Qytetin e Shkupit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close