
Sekretariati për Shëndetësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Dega Çair, ka reaguar ndaj aktivitetit të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti, duke e akuzuar se po përpiqet ta shndërrojë shëndetin publik në një “spektakël PR-i”, ndërkohë që, sipas tyre, politikat e tij po krijojnë kushte që dëmtojnë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Në reagimin e publikuar, Sekretariati për Shëndetësi thekson se, nëse Mexhiti është vërtet i shqetësuar për shëndetin e qytetarëve, fillimisht duhet të merret me problemet që, sipas tyre, janë pasojë e politikave të tij.
“Mungesa e infrastrukturës së sigurt ka bërë që qytetarët e Çairit, veçanërisht këmbësorët, çiklistët dhe përdoruesit e trotinetëve, të ekspozohen çdo ditë ndaj rrezikut të aksidenteve. Ndotja e lartë e ajrit vazhdon të jetë një nga kërcënimet më serioze për shëndetin e banorëve të Çairit, ndërsa pasojat e vërshimeve, që kontaminuan qindra shtëpi, vazhdojnë të paraqesin rrezik për shëndetin publik”, thuhet në reagim.
BDI-Çair kritikon edhe gjendjen në sistemin shëndetësor, duke vlerësuar se ai po përballet me një situatë alarmante.
Sipas reagimit, “me rebalansin e buxhetit, Qeveria ka ulur mjetet për programet preventive të Ministrisë së Shëndetësisë. Qytetarët presin me orë të tëra ekipet e Ndihmës së Shpejtë, edhe në raste urgjente. Qendra Klinike Universitare po funksionon në kushte alarmante, ndërsa sallat operative, të promovuara me bujë para katër muajsh, ende nuk janë vënë në funksion”. Në reagim përmendet edhe gjendja e sallave operative, ku, sipas BDI-së, “janë dokumentuar raste të hyrjes së zogjve, një situatë e papranueshme për një institucion terciar shëndetësor”.
Në përfundim, Sekretariati për Shëndetësi i BDI-së, Dega Çair, thekson se shëndeti publik nuk mbrohet me aktivitete promovuese, por me politika konkrete.
“Shëndeti nuk mbrohet me foto dhe aktivitete promocionale. Shëndeti mbrohet me politika që krijojnë një mjedis të sigurt, ajër të pastër dhe një sistem shëndetësor që funksionon. Fatkeqësisht, pikërisht në këto fusha Izet Mexhiti dhe kjo Qeveri kanë dështuar”, thuhet në reagim.
Ndryshe, sot, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim pune me mjekët e përfshirë në platformën “Çairi në ritmin e shëndetit”, në të cilin u dakorduan aktivitetet e radhës që do të realizohen në kuadër të kësaj nisme.
“Duke filluar nga java e ardhshme, në objektin e Komunës së Çairit do të organizohen ligjërata publike me pediatër, gjinekologë, mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të fushave të ndryshme, të cilët do të ndajnë këshilla profesionale dhe informacione për ruajtjen e shëndetit dhe rëndësinë e parandalimit”, tha Mexhiti.



