
Padëgjueshmëria qytetare, përkatësisht refuzimi i pagesës së faturave të rrymës në disa fshatra, ka nxitur debat për mosfunksionimin e institucioneve të shtetit.
Banorët e disa fshatrave në Maqedoninë e Veriut kanë penguar ekipet e korporatës energjetike, EVN, për vendosjen e njehsorëve të rinj jashtë objekteve të banimit, me kërkesën që t’u falet borxhi paraprak.
Së fundmi, banorët e fshatit Sllupçan në rrethinën e Kumanovës, krahas faljes së borxhit paraprak, kanë kërkuar që vendosja e lidhjeve të reja me njehsorë të rinj të bëhet pa pagesë. Ata, po ashtu, kërkojnë që pavarësisht se sa rrymë do të harxhojnë, të mos u faturohen më shumë se 3000 denarë (50 euro), dhe të lirohen tërësisht nga pagesa e energjisë objektet fetare.
Selajdin Shahini nga fshati Sllupçan thotë për Radion Evropa e Lirë se mbeten te kërkesat e tyre për faljen e borxhit. Sipas tij, nëse Qeveria mori vendim t’ua falë borxhin komunave, pse të mos ua falë borxhin qytetarëve në kohë krize dhe inflacioni.
“Sllupçani nuk ka aq borxh sa thonë, apo reklamohet në media të caktuara. Le ta shohin sa borxh ka Qeveria, institucioni gjyqësor dhe institucionet policore apo institucionet e tjera dhe nuk veprohet. Kjo është e para, dhe e dyta – pse fillohet me vendbanimet shqiptare, e në fshatrat në lindje të Maqedonisë [së Veriut]orët për matjen e rrymës nuk i nxjerrin jashtë?! Jemi minj eksperimentalë ne? Nuk i nxjerrin orëmatësit jashtë shtëpive në Kumanovë ku janë maqedonasit, po vijnë vetëm te ne dhe kërcënojnë me ndaljen e rrymës”, shprehet Shahini.
Ai e konsideron të padrejtë që banorët e kësaj ane të dënohen me ndaljen e rrymës, përderisa në këtë rajon ka shumë stalla kafshësh dhe veprimtari ekonomike, të cilave ndalja e rrymës u shkakton dëme të mëdha. Top24



