LajmeMaqedoniTopLajm

Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por zemra e re e lidhjes evropiane

Investimet në transport nuk nënkuptojnë vetëm rrugë të reja, hekurudha, porte dhe aeroporte. Ato ndryshojnë mënyrën se si Evropa lidhet, funksionon dhe e ndërton pozicionin e saj në botë, raporton TRN, transmeton Zhurnal.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të Samitit për Investime në Transport “Sigurimi i rritjes dhe konkurrueshmërisë përmes lidhjes”, që po mbahet në Selanik.

Në hapjen e samitit, drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjšek, tha se transporti nuk duhet parë vetëm si infrastrukturë, por si mundësi për një jetë më të mirë për qytetarët. Ai theksoi se suksesi shpesh matet gabimisht në kilometra rrugë të ndërtuara ose në sasi të mallrave të transportuara, ndërkohë që thelbi është tek ajo që lidhja u mundëson njerëzve.

“Pacientët të arrijnë tek kujdesi mjekësor, studentët tek arsimi, sipërmarrësit tek tregjet e reja, dhe komunitetet të përparojnë”, nënvizoi Zakonjšek.

Sipas tij, qëllimi i lidhjes në transport nuk është vetëm ndërtimi i infrastrukturës, por krijimi i mundësive. Ai vlerësoi se Ballkani Perëndimor nuk është periferi e Evropës, por “zemra e re e politikës evropiane për lidhje”.

Komisioneri Evropian për transport dhe mobilitet, Apostolos Tzitzikostas, theksoi se rajoni ka nevojë për investime të vazhdueshme në hekurudha, rrugë, porte dhe aeroporte. Ai shtoi se vetëm financimi publik nuk mjafton dhe se janë të nevojshme partneritete mes qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat.

“Vetëm financimi publik nuk është i mjaftueshëm. Duhet të mobilizohen partneritete mes qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe sektorit privat”, tha Tzitzikostas.

Sipas tij, suksesi i zgjerimit të rrjetit TEN-T do të varet nga bashkëpunimi rajonal dhe efikasiteti i lidhjes ndërkufitare.

Në samitin e Selanikut marrin pjesë përfaqësues nga shtatë shtete evropiane, si dhe institucione financiare ndërkombëtare. Maqedoninë e Veriut e përfaqëson zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikoloski, i cili do të marrë pjesë në një panel-diskutim për prioritetet infrastrukturore dhe investimet në Ballkanin Perëndimor.

Diskutimi do të ketë fokus të veçantë tek korridoret 8 dhe 10, të cilat janë ndër rrugët kryesore të transportit për lidhjen e vendit dhe rajonit.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close