
Kritika më e madhe nga VLEN-i po vjen nga vetë përfaqësuesit e tij, të cilët, në fakt, po kritikojnë periudhat kur edhe ata vetë ishin pjesë e qeverisjes.
Izet Mexhiti është shembulli më i qartë i kësaj ironie politike. Ai sot kritikon gjithçka që është bërë dhe që nuk është bërë nga viti 2001 deri më sot nën qeverisjen e BDI-së, ku edhe vetë ishte pjesë deri në vitin 2023.
Bilall Kasami, një tjetër kritik i ashpër, jo vetëm që ka qenë pjesë e BDI-së deri në vitin 2014, por më pas, si kryetar i Lëvizjes Besa, ka qenë pjesë e qeverisë në disa raste. Ai kritikon ligjin për regjistrimin e popullsisë, i cili ndau qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë, por harron se ky ligj u miratua në vitin 2021 kur Lëvizja Besa ishte në koalicion me LSDM-në në kuadër të “Mundemi”.
Një tjetër kritik i pushtetit të djeshëm është Arben Taravari, i cili sot konteston ligjin për përdorimin e gjuhëve—një ligj që dikur e quante një arritje madhore. Po ashtu, ai kritikon ndryshimet në Kodin Penal, ndonëse ministrat e tij nuk e kundërshtuan në seancën e qeverisë, dhe përpiqet t’ia hedhë fajin dikujt tjetër që s’ka pasur asnjë ndikim në atë ndryshim. Ai madje vë në pikëpyetje punën në Ministrinë e Shëndetësisë, ndonëse si ministra praprakisht kanë shërbyer Bekim Sali (Alternativa) dhe Fatmir Mexhiti (ASH)—të dy sot pjesë e “Vlenit”.
Në vend që të kritikoni veten për atë që keni bërë ose nuk keni bërë, do të ishte më mirë të punoni, në mënyrë që të mos e kritikoni sërish veten në të ardhmen. Ju dini të bëni vetëm këtë – të kritikoni. Më mirë shikoni planin e VLEN-it dhe shihni çfarë mund të realizoni, sepse duket se tashmë e keni zëvendësuar atë me planin “Maqedonia përsëri e jotja”. E kuptoj që nuk mund të bëni asgjë sepse jeni në pushtet pa pushtet, jeni pa vizion dhe me një mentalitet politik të vjetëruar, “merr ose lëre”.



