
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) ka marrë vendim për ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për pije nga ujësjellësi i qytetit të Gostivarit, për shkak të dyshimeve të bazuara se ai është i ndotur dhe i pasigurt për shëndetin e qytetarëve.
Nga AUV njoftojnë se mbikëqyrja e jashtëzakonshme inspektuese është kryer pas njoftimit nga Prokuroria Themelore Publike në Gostivar, pas ankesave të qytetarëve dhe kallëzimit nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me sigurinë e ujit.
Gjatë kontrollit, i cili është realizuar në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit Jetësor, Prokurorisë Themelore Publike dhe teknikës kriminalistike të MPB-së, është konstatuar se në tubacionin kryesor të rrjetit të ujësjellësit ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë, e cila fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit me ujë.
Ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik kanë marrë mostra të ujit, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse uji është i sigurt për përdorim.
Deri në marrjen e rezultateve zyrtare, AUV ka lëshuar ndalim të përkohshëm për përdorimin e ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos e përdorin atë për pirje.



