
Republikanët kanë shtuar presionin ndaj shefes së Shërbimit Sekret në SHBA , Kimberly Cheatle, pas dështimit për të parandaluar atentatin ndaj Donald Trump fundjavën e kaluar.
Edhe pse pranoi se duke qenë në ngarkim me mbrojtjen e ish presidentit, përgjegjësia përfundintare për incidentin e Donald Trumpit i takon agjencisë së drejtuar prej saj, shefja e Shërbimit sekret amerikan Kimberly Cheatle sërish tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“U jemi thellësisht mirënjohës oficerëve që vrapuan drejt rrezikut për të gjetur personin e armatosur dhe të gjithë partnerëve tanë lokalë për angazhimin e tyre të palëkundur”, thuhej në një deklaratë të Shërbimit Sekret.
“Çdo lajm që sugjeron se Shërbimi Sekret fajëson strukturat lokale të zbatimit të ligjit mbi ngjarjen e së shtunës, thjesht nuk është i vërtetë”, theksohej aty. Zyrtarët megjithatë tani po kërkojnë të dinë se si një person i armatosur arriti të afrohej aq shumë e ngjitej në majë të një ndërtese nga ku të qëllonte ish-presidentin, teksa dëshmitarë në vendngjarje kishin bërtitur në drejtim të punonjësve të sigurisë duke i treguar me gisht personin e dyshimtë mbi çati.



