
Përfaqësueset shqiptare U-16 të basketbollit vijojnë garën në Kampionatet Europiane të moshave, të organizuara nga FIBA. Dita e djeshme shënoi ndeshjet e fundit të fazës së grupeve për ekipet kuqezi, me vajzat që siguruan kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa djemtë u eliminuan nga gara për vendet e para.
Vajzat – Shqipëria U-16 e vajzave, e drejtuar nga trajneri Olsi Muça, zhvilloi një fazë grupesh perfekte në turneun që po mbahet në Maltë, duke e mbyllur Grupin B në vendin e parë me tre fitore në po aq ndeshje.
Pas suksesit bindës 96-38 ndaj Gjibraltarit në ndeshjen e parë dhe fitores 89-75 ndaj Armenisë në takimin e dytë, vajzat kuqezi triumfuan edhe në sfidën e fundit, duke mposhtur Moldavinë me rezultatin 86-40.
Me këtë sukses, Shqipëria siguron kualifikimin në gjysmëfinale dhe do të luftojë për një medalje në Kampionatin Europian të Divizionit C.
Djemtë – Ndryshe paraqitet situata për Shqipërinë U-16 të djemve, e cila garon në turneun e Jerevanit, Armeni. Ekipi i drejtuar nga trajneri Mikel Serbo e nisi me fitore kompeticionin, duke mundur San Marinon me rezultatin 106-59.
Megjithatë, kuqezinjtë pësuan më pas dy humbje radhazi, 56-74 ndaj Moldavisë dhe 65-90 në ndeshjen e fundit kundër Kosovës, rezultate që i lanë jashtë fazës gjysmëfinale.
Përfaqësuesja shqiptare do ta vijojë tashmë turneun vetëm për ndeshjet e klasifikimit final.
Debati – Ndërkohë, përzgjedhjet në përfaqësuesen U-16 të djemve kanë ngjallur diskutime në komunitetin e basketbollit shqiptar. Janë ngritur pikëpyetje për lënien jashtë të disa basketbollistëve që kanë spikatur gjatë kampionatit kombëtar U-16.
Këto vendime kanë sjellë reagime dhe dyshime mbi kriteret e përzgjedhjes, me kritika që kërkojnë më shumë meritokraci në grumbullimet e ekipeve kombëtare.



