LajmeRajon

Asnjë parti politike s’e ka shumicën, Kosova rrezikon ngërçin politik

Megjithëse nuk është kryer ende procesi i numërimit të të gjtiha votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë që aktualisht prinë me vota, Albin Kurti i tha partive të opozitës se nuk do të bëjë koalicion me to meqë, sipas tij, kanë bërë luftë hibride ndaj tij dhe partisë që e drejton. Kurti tha se vetëm partia fituese e krijon qeverinë. Aktualisht procesi i numërimit të votave me postë dhe atyre me kusht e të personave me nevoja të veçanta ende nuk është kryer sado që KQZ pati paralajmëruar ta përfundonte procesin deri në mesin e kësaj jave.

“Ne presim certifikimin e rezultateve dhe më pastaj do të ulemi dhe të shikojmë për rrugën përpara. Mirëpo nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime të tjera sa i përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër qeverisë sonë dhe kundër Lëvizjes Vetëvendosjes, por ne kemi dalë fitimtarë. Fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë”

LVV-ja është e barrikaduar në qëndrimin e saj kundër partive të tjera, por rezultatet e deritashme nuk i ofrojnë një mundësi për të qeverisur e vetme me një koalicion me partitë jo serbe. Sipas projeksioneve, bazuar në trendin e votave të diasporës, LVV mund të fitojë 49 vende në Parlament dhe në variantin më të mirë të mundshëm deri 50 vende, që nuk i mundëson shumicën. Udhëheqësit e partisë janë shprehur me gjuhë të ashpër ndaj partive të tjera, duke mbyllur mundësitë e bashkëpunimit. Ish-diplomati, Blerim Canaj thotë se gjuha që Kurti përdori kundrejt partive opozitare e bënë të qartë situatën se LVV-ja është e vështirë për bashkëpunim.

“Posaçërisht nga e kaluar e tij që ka treguar Kurti se nuk është një partner i besueshëm, nëse futen me Kurtin në koalicion shoqërohen me frigën kur do t’i lë në baltë sepse ofendimet nuk flasin për partneritete”, tha Canaj.

Në anën tjetër kundër një bashkëpunimi me LVV-në, janë shprehur edhe partitë opozitare, përveç Nismës së Fatmir Limajt e cila në këto zgjedhje ka garuar në koalicion me AAK-në. Limaj është shprehur i gatshme që të ulet me këdo që e thërret për formimin e qeverisë. Ndërsa një qëndrim të qartë nuk ka as nga LDK-ja e cila ka deklaruar se do ta dëgjoj zërin e votuesve të saj. Hulumtuesi i IKD-së, Naim Jakaj, thotë se nëse LVV-ja, si parti fituese mandaton kryetarin e Kuvendit atëherë nëse brenda një muaji nuk arrijnë që të sigurojë votat për qeverinë, qeveria mund të formohet edhe nga partitë opozitare. Por, rreziku për një ngërç politik sipas Jakajt, vjen nëse LVV-ja nuk mandaton askënd për kryetar Kuvendi.

“Atëherë po prodhohet një ngërç politik dhe pastaj duhet të presim palët e interesit t’i drejtohen kushtetueses dhe pastaj të presim deri sa të nxjerrë vendimin të përcaktoj afatin se deri kur mund të prolongohet konsituimi i Kuvendit:”, tha Jakaj.

Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, përfshirë me përditësimin e fundit të numërimit të 90 për qind të votave nga diaspora, Lëvizja Vetëvendosje aktualisht ka 48 deputetë, PDK 24 deputetë, LDK, 20 deputetë, AAK-Nisma 8 deputetë, ndërkaq komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close