LajmeMaqedoniTopLajm

As Qeveria e re në Sofje nuk e ndryshoi qëndrimin për Maqedoninë e Veriut

Presidenti bullgar Rumen Radev dje ka deklaruar se është i kënaqur që liderët evropianë “përfundimisht kanë kuptuar se ku është problemi i vërtetë me Maqedoninë e Veriut” dhe se të gjitha përpjekjet për të ushtruar presion mbi Sofjen janë kundërproduktive.

“Në të gjitha Këshillat evropianë – nga maji, bisedova me çdo lider evropian në temën RMV. Dëshiroj t’u shpreh falënderim, sepse për herë të dytë tema është jashtë rendit të ditës. Partnerët tanë përfundimisht kuptuan ku është problemi i vërtetë. Problemi ndikon thellë në themelin e vetë BE-së – të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimi”, deklaroi Radevi për mediat bullgare në Bruksel ku mori pjesë në samitin e gjashtë të Partneritetit Lindor dhe Këshillit Evropian.

Ai theksoi se Sofja do të vazhdojë ta mbrojë pozicionin e vet, jo vetëm historinë, duke theksuar se prioritet kryesor është respektimi i të drejtave të njeriut me identitet bullgar.

“Nuk japim afate. ky proces nuk udhëhiqet nga afatet, por nga rezultatet”, tha Radevi.

Sipas tij, të gjitha përpjekjet për presion mbi Bullgarinë janë kundërproduktive.

Edhe nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova tha se nuk sheh bazë dhe fakte të reja të cilat do ta ndryshonin pozicionin bullgar ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet e vendit, nga ana tjetër presin “qasje më moderne” nga Sofja dhe zgjidhje më të shpejtë të problemit.

Presidenti Stevo Pendarovski dje nga Prishtina porositi se e pranon qasjen e kryeministrit të ri bullgar Kiril Petkov, i cili thotë se historia nuk duhet të jetë kanali i vetëm i komunikimit ndërmjet dy shteteve.

“Për mua është e pranueshme qasja e kryeministrit të ri bullgar, i cili thotë se historia të mos jetë kanali i vetëm përmes të cilit ne si dy shtete fqinje komunikojmë”, tha Pendarovski dje gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani duke e komentuar qëndrimin e kryeministrit të ri bullgar Kiril Petkov tha se Bullgaria ka të drejtë të vetos, por gjashtë muaj është periudhë e gjatë në kontekstin në të cilin gjendet rajoni.

Related Articles

Back to top button
Close
Close