LajmeMaqedoniOpinion

Arta Mero, UEJL: Ekapertët e ministrisë ose si plotësojnë vet kushtet ose nuk i njohin fare ato

Përderisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës në grupin punues ka përfshirë të ashtuquajtur “ekspertë”, të cilët ose nuk i plotësojnë vetë kushtet e përcaktuara me këtë propozim ligj, ose nuk i njohin fare ato, duke u mbështetur kryesisht në metodën e copy-paste, apo pa pasur as vetë besim në zbatueshmërinë reale të këtyre kushteve, e shoh të domosdoshme të shtoj disa vërejtje konkrete në lidhje me nenin e famshëm 161.

Në përcaktimin e kushteve nga neni 161 të Propozim Ligjit për Arsimin e Lartë që i referohen detyrimit për publikim të punimeve në revista me faktor ndikimi në bazën Web of Science, është e domosdoshme të merret parasysh përfaqësimi real disiplinor në këtë bazë ndërkombëtare. Sipas të dhënave aktuale, në Web of Science (SSCI ose SCIE) janë të indeksuara: rreth 800 revista nga fusha e biznesit dhe ekonomisë; rreth 650 revista nga shkencat kompjuterike; rreth 3.700 revista nga shkencat mjekësore. Ndërkohë, në fushën juridike janë të indeksuara vetëm rreth 150 revista në kuadër të SSCI, prej të cilave afërsisht 80% botohen në vende të sistemit common law (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Australi). Kjo tregon një pabarazi të theksuar strukturore në përfaqësimin e shkencës juridike në Web of Science, veçanërisht duke pasur parasysh se sistemi juridik i vendit tonë i përket traditës civil law (kontinentale), e cila karakterizohet nga metodologjia, stili dhe orientimi kombëtar i hulumtimeve juridike, të ndryshme nga sistemi common law. Vendosja e një kriteri të unifikuar dhe strikt për numrin e publikimeve në Web of Science, pa diferencim sipas fushave shkencore, rrezikon të krijojë:pabarazi ndërmjet disiplinave, disavantazh sistemik për shkencat juridike, presion për orientim drejt temave dhe metodologjive që nuk janë në përputhje me traditën juridike kontinentale. Për më tepër, një formulim i tillë i kritereve mund të paraqesë edhe formë të diskriminimit indirekt. Bëhet fjalë për situata kur vendosen kritere që në pamje të parë janë neutrale dhe të njëjta për të gjithë, por që në praktikë vendosin disa fusha shkencore në pozitë më të pavolitshme që në fillim, në krahasim me të tjerat. Kriteret formalisht të barabarta nuk prodhojnë domosdoshmërisht barazi reale kur ekzistojnë dallime strukturore në mundësitë e publikimit ndërkombëtar.

 

Prandaj, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nuk mund të fshihet pas një formalizmi të rremë dhe një qasjeje mekanike “një kriter për të gjithë”, duke injoruar dallimet thelbësore ndërmjet disiplinave shkencore. Këmbëngulja në kritere rigide, të marra pa analizë kritike dhe të transplantuara përmes metodës së copy-paste nga sisteme të huaja kryesisht evropiane sipas ministreshës, pa u përshtatur me realitetin akademik dhe juridik vendor, nuk përfaqëson reformë, por prodhon pabarazi strukturore dhe diskriminim indirekt ndërmjet fushave shkencore.

Në këtë kontekst, moszgjerimi i bazave relevante ndërkombëtare (si përfshirja alternative e Scopus-it për shkencat shoqërore) dhe mungesa e kritereve të diferencuara sipas fushave, e shndërron nenin 161 në një instrument përjashtues dhe jo zhvillimor. Një ligj që në emër të “cilësisë” krijon pengesa të pakapërcyeshme për disiplina të caktuara, veçanërisht për shkencat juridike, bie ndesh me parimin e barazisë reale, proporcionalitetit dhe qëllimin kushtetues të arsimit të lartë si interes publik.

Nëse qëllimi i ligjit është vërtet avancimi i cilësisë dhe rritja e dukshmërisë ndërkombëtare, atëherë kriteret duhet të jenë të drejta, të arsyeshme dhe të bazuara në realitete shkencore dhe investimin e shhtetit për hulumtim dhe tek hulumtuesit e jo të dizajnuara që në start të favorizojnë disa fusha dhe të penalizojnë të tjerat.

Related Articles

Back to top button
Close
Close