
Sektori për luftë kundër terrorizmit pranë Departamentit për shtypjen e krimit të organizuar dhe serioz në MPB ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike Shkup ndaj dy personave, A.M. (58) dhe A.M. (28), të dy nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose mjete shpërthyese”, njofton Top24
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme, më 29 gusht, mbi bazë të një urdhri gjyqësor, është kryer bastisje në shtëpinë ku qëndronin të dyshuarit. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe ka sekuestruar disa armë dhe municione, përfshirë: pistoleta, pushkë, një sasi të madhe fishekësh të kalibrave të ndryshëm (357mm, 7.62x39mm, 7.62x25mm, 9mm), fishekë gjahu kalibri 12, si dhe një pajisje shpërthyese të improvizuar.
Me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake, të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.



