SportTopLajm

Arbër Zeneli ia dridh këmbët Suedis para ndeshjes,Kosova fiton me poker kundēr Lituanisë

Pas një 2020-e të vështirë, ku shpërdoroi edhe një mundësi për të prerë një biletë për në Kampionatin Europian, Kosova e nisi në mënyrë perfekte vitin 2021, pasi triumfoi me rezultatin e thellë 4-0 në miqësoren ndaj Lituanisë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.

Ndonëse në prag të dy ndeshjeve eliminatore, tekniku Bernard Challandes nuk kurseu asnjë nga titullarët për miqësoren ndaj Lituanisë, ndërsa vëmendja maksimale ishte natyrisht te reparti i mbrojtjes.

Në mungesë të kapitenit Amir Rrahmani për shkak dëmtimi, tekniku zviceran provoi Mërgim Vojvodën në qendër në krah të Dresevic dhe mori përgjigje mjaft të mira nga futbollisti i Torinos, ndërsa në pjesën e parë ishte Fidan Aliti ai që u spostua në krahun e majtë.

“Dardanët” e nisën mirë ndeshjen dhe kërcënuan disa herë portën, teksa më i rrezikshmi ishte padyshim Arbër Zeneli, i cili zhbllokoi edhe takimin në minutën e 27’, pasi lëvizi bukur në zonë dhe dërgoi topin në rrjetën e portës së lituanëve.

Më pas Rashica dhe sërish Zeneli patën mundësi për të dyfishuar shifrat, por nuk u treguan të saktë para portës, ndërsa nga ana tjetër Lituania pati një mundësi të artë për të barazuar në fundin e pjesës së parë, por gjuajtja e futbollistit mik përfundoi ngjitur me shtyllën e portës së Ujkanit.

Në pjesën e dytë trajneri Challandes filloi të largojë një nga një titullarët e tij, për t’u dhënë mundësi të çlodhen në prag të ndeshjes eliminatore me Suedinë, megjithatë “dardanët” vijuan të dominojnë dhe të kërcënojnë pa reshtur portën e lituanëve.

Në minutën e 63-të, ishte sulmuesi i Lazios, Vedat Muriqi, ai që shënoi golin e dytë për Kosovën, teksa pas një krosimi të saktë të Milot Rashicës nga krahu, kërceu mbi mbrojtësin kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë.

Më pas protagonist u bë sërish Arbër Zeneli, që fillimisht provoi aftësitë e portierit me një goditje nga distanca dhe në minutën e 71-të arriti të shënojë edhe golin e tretë për “dardanët”.

Numri 10 ishte i papërmbajtshëm dhe pak minuta më vonë provoi spektaklin, duke depërtuar në zonë me një driblimi spektakolar ndaj dy mbrojtësve lituanë, por më pas goditja u ndal nga portieri Svedkauskas.

Spektaklin e Zenelit vendosi ta ndërpresë trajneri Bernard Challandes 15 minuta para fundit, kur e thirri sulmuesin në pankinë, për të hedhur në fushë Bernard Berishën, por në skenë u ngjit Besar Halimi, që depërtoi bukur në zonë dhe shënoi edhe golin e katërt në minutën e 79’.

Kosova provoi sërish të gjejë rrjetën, por Kololli gjuajti jashtë me portën e boshatisur, ndërsa më pas ishte portieri lituan që grushtoi një goditje “të hidhur” të Hadërgjonajt. Pa akorduar asnjë minutë shtesë, Enea Jorgji sinjalizoi për fundin e takimit të dominuar totalisht nga Kosova, që tani do të duhet të mendojë për sfidën e të shtunës ndaj Suedisë po në “Fadil Vokrri”. /SS/

Related Articles

Back to top button
Close
Close